Historiania Elena Kocaqi e ftuar në Ora News ka treguar disa fakte që sipas saj nuk diheshin më parë, sipas të cilave Austro-Hungaria ka pasur një ndikim shumë të madh për të pasur një Shqipëri të pavarur.
Elena Kocaqi: Unë e kam parë dokumentacionin që nga shekulli i 19 pas 1978 dhe deri në vitin 1918 të arkivit të Austro-Hungarisë. Këto gjëra nuk na ishin thënë. Ka pasur një aksion për Shqipërinë, është programi i Ministrisë së jashtme të Austro-Hungarisë. Aksioni për Shqipërinë ishte bashkimi i faktorit shqiptar përtej feve, koncepti i shqiptarëve që feja e shqiptarëve është shqiptaria ka qenë gjithashtu dhe një direktivë e Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë. Ka pasur një drejtori të posaçme për Shqipërinë. Dhe ajo e parapërgatiti me disa marrëveshje me të gjitha fuqitë e mëdha që do të kishte një Shqipëri të pavarur. Parimisht u ra dakord. Problemi është si para Luftës Ballkanike dhe pas, nuk binin dakord se cili do ishte territori i kësaj Shqipërie.
Kocaqi tha se pavarësia e Shqipërisë është përgatitur nga Austro-Hungaria për rreth 20-30 vite.
Elena Kocaqi: Ka qenë shumë e vështirë që të ruhej territori shqiptar, por u parapërgatit të paktën për 20-30 vite nga Austria sepse u bë marrëveshje me Rusinë, me Italinë me Anglinë dhe gjithë fuqitë që do të ketë një Shqipëri të pavarur nëse bie Turqia. Por Austria donte që të mos binte Turqia në 1912, por të binte të paktën 10 vite më vonë që të ruante territorin shqiptar. Dhe kur janë bërë kryengritjet në 1911, Austria nuk i ka përkrahur, por i ka kërkuar Perandorisë Osmane që t’i japë të drejta shqiptarëve, t’i bashkojë shqiptarët në 1 vilajet, t’i bëjë autonom dhe t’i përgatisë për pavarësi sepse e dinte shumë mirë që pavarësia do vinte. Por mos të vinte në një moment kur Shqipëria do cungohej, por të vinte pak më vonë dhe ua bëri dhe të ditur.