Nuk do të ketë më fazë në grupe, por një kampionat me 36 skuadra. Kështu UEFA mendon ta transformojë Ligën e Kampionëve, sipas asaj që raportojnë “Telegraph” dhe “Times”. Motivi? Për të pasur më shumë ndeshje, për të kënaqur transmetuesit dhe për të larguar kërcënimin e Superligës.
Me ndryshimin e mundshëm të formatit të Ligës së Kampionëve, do të zhdukeshin 8 grupet me nga 4 skuadra dhe numri total mund të shtohet në 36. Pa grupet, çdo klub do të luajë 10 ndeshje, 5 në shtëpi dhe 5 në transfertë, kundër 10 kundërshtarëve të ndryshëm. Faza e parë do të ketë 10 ndeshje. Në këtë pikë, 16 të parat e klasifikimit do të sfidoheshin në 1/8-at, ndërsa në Ligën e Europës do të shkonin skuadrat e vendeve 17-24.
Çiftet do të përcaktoheshin nga kryqëzimi i skuadrave, e para kundër të 16-ës, e dyta ndaj të 15-ës dhe kështu me radhë. Reforma mund të hyjë në fuqi duke nisur nga viti 2024 dhe mbështetet në dy motive: më shumë ndeshje dhe largim i kërcënimit të Superligës. Diskutimet do të vazhdojnë gjatë javës, kur UEFA do të mësojë edhe vullnetin e klubeve për formatin e ri të Ligës së Kampionëve.
Nuk është hera e parë që flitet për ndryshime në këtë kompeticion. Në 2012-ën, presidenti i atëhershëm, Mishel Platini, kishte folur për “Bild” për një Champions me 64 skuadra dhe se revolucioni do të fillonte në 2016-ën, kur në fakt u bllokua. Është folur gjithashtu edhe për t’i luajtur ndeshjet në fundjavë dhe jashtë Europës, ndërsa këtë herë vëmendja është tek eleminimi i fazës së grupeve