Politika Rama: Nuk ka asnjë shans që të ndalohen memet

Rama: Nuk ka asnjë shans që të ndalohen memet

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale pas publikimit në media se me propozimet e reja në ndryshimet e Kodit Penal do të ndalohen edhe memet.

Rama thotë se nuk ka asnjë shans që memet të ndalohen me ligj.

“Shih shih qenkan revoltuar ca analistë se do u dënokan memet me Kod Penal, duke u nisur nga s’di ç’material jozyrtar! Po si mund të ndalohen memet me ligj na e thonë dot këta orakuj të kombit? Asnjë shans s’ka, ku ta gjenim që dhe këta të merreshin me meme që të vlenin për diçka”, shkruan Rama në Twitter.

Pak më herët reagoi edhe Ministria e Drejtësisë që sqaronte se materialet që qarkullojnë në media janë ende një dokument pune.

“Nga grupi i ekspertëve, propozime këto të cilat janë zbardhur si pjesë e diskutimeve në seancat e konsultimit publik”, thuhej në njoftim.

Ministria sqaronte më tej se dokumenti që po qarkullon nuk është drafti final, pasi për të po punohet në vazhdimësi.

“Ministria e Drejtësisë ka përmbyllur procesin e konsultimit publik dhe tani ekspertët dhe praktikantët e ligjit të grupit të punës do të finalizojnë projektligjin, i cili pasi të konsultohet teknikisht, do të depozitohet në Këshillin e Ministrave”.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj propozon në ndryshimet e reja në Kodin Penal që të ndalohet montazhi i pamjeve të një personi pa pëlqimin e tij.

Në nenin 238 të propozuar thuhet se publikimi në çdo formë, mënyrë apo mjet i një montazhi të realizuar me fjalët ose imazhin e një personi, pa pëlqimin e tij, nëse kryhet për qëllime përfitimi material ose jo material, apo kur ka qëllim të dëmtojë reputacionin e një personi, kur materiali nuk shfaqet dukshëm që është një montazh ose nëse nuk përmendet shprehimisht se është i tillë, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 1 vit.