Aktualitet Lleshaj zbulon synimin e vërtetë të OFL-së

Lleshaj zbulon synimin e vërtetë të OFL-së

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte këtë të enjte në emisionin “Opinion” ku përpara një paneli gazetarësh foli edhe për çështjen e OFL-së.

Lleshaj tregoi edhe se cili është qëllimi që fshihet pas këtij Akti Normativ.

Ai tha se Operacioni Forca e Ligjit kërkon që të krijojë bindjen tek kriminelët apo ata që duan t’i hyjnë botës së krimit që herët apo vonë pasuria e tyre do të sekuestrohet.

“Do thosha këtë gjë që nga analiza që i bëjmë kriminalitetit në Shqipëri na rezulton se ulja e tij ndjeshëm sidomos këtë vit lidhet ndjeshëm sidomos nga qasja e re dhe masat e reja të marr, lufta ndaj aseteve kriminale qëndron prapa çdo suksesi në luftën kundër kriminalitetit. Ne kemi adoptuar një qasje agresive dhe inovative në fushën e luftës kundër aseteve kriminal, e cila synon që të shterojë burimet e  financimit dhe të prishë modelin e biznesit. Ky biznes duhet shkatërruar në ciklin e tij. Gjithë qasja jonë, gjithë Akti Normativ, OFL-ja gjithë kjo ngrehinë, operacion i madh synon që t’i krijojë bindjen çdo personi të përfshirë në krim apo që është gati të përfshihet që çfarë do që të ndodhë, sido që të bëhet, sado pasuri që të vendosë do të vijë një ditë që dikush do t’i marrë këto pasuri. Pas kësaj është gjithë puna që po bëhet në kuadër të OFL-së”.

Lleshaj u shpreh se deri më tani, OFL ka sekuestruar 1500 pasuri ndërsa luftën kundër aseteve e konsideroi si instrumentin bazë që siguron sukses të qëndrueshëm.

“Sot u ka lindur një histori e re, e riargumentimit dhe rimbrojtjes së pasurive të tyre para gjykatës. Kjo ka sjellë një nivel krejt të ri në këtë fushë. Fakti që kemi mbi 1500 pasuri, pjesa e konsiderueshme e tyre e konfirmuar. Pjesa më e madhe është marrë në administrim nga agjencia e administrimit të aseteve. Janë konfirmuar 523 pasuri të sekuestruara që janë marrë nën administrim”, tha Lleshaj.