Senatori kolumbian, Ivan Marulanda, ka dorëzuar në Kongresin e vendit një projektligj që parashikon të legalizojë industrinë e kokainës. Projektligji përpiqet të krijojë kështu një industri të ligjshme që të merret me shpërndarjen e kokainës te përdoruesit si qetësues për dhimbjet dhe jo për qëllime të tjera. Një tjetër objektiv është që legalizimi të nxjerrë nga errësira qindra mijëra fermerë që merren me kultivimin e gjetheve të kokës.
Në një intervistë për “Vice World News”, senatori shpjegoi me detaje propozimin e tij. “Shteti do të blejë të gjithë kultivimin e kokës në vend. Janë rreth 200 mijë familje fermerësh që janë të lidhura me rritjen e kokës. Programet për shfarosjen e kokës në vend kushtojnë çdo vit 1 miliardë dollarë, ndërsa blerja e tyre do të na kushtonte 680 milionë dollarë”, tha ai.
“Me ndërhyrjen e qeverisë do të futeshin në skemat shtetërore 200 mijë familje si dhe do të shmangej shpyllëzimi i vendit. Çdo vit Kolumbia shkatërron 300 mijë hektarë pyje, 25% e kësaj sipërfaqe si pasojë e fermerëve të kokës”.
Senatori shpjegon se shteti do të ishte prodhuesi i kokainës dhe ofruesi ndaj përdoruesve, por edhe kompanive farmaceutike, për qëllime studimi. “Në Kolumbi konsumi personal i kokainës është i ligjshëm, sepse konsiderohet një e drejtë njerëzore. Por për ta marrë këtë substancë përdoruesit bien në kontakt me grupet kriminale. Shpesh është kokainë e cilësisë së dobët, e përzier me substanca të tjera. Ky ligj do ta shkëpuste krimin e organizuar nga kokaina dhe shteti do ta ishte shpërndarësi, përmes një programi të shëndetit publik”, shtoi senatori.