Bill Gates ka paralajmëruar që pesë muajt e ardhshëm do të jenë ”mjaft të zymtë” për Shtetet e Bashkuara nëse rastet e COVID-19, shtrimet në spital dhe vdekjet nuk ndalojnë së rrituri. Filantropisti miliarder gjithashtu u zotua të merrte menjëherë vaksinën sapo ajo t’i vihej në dispozicion.
Miliarderi, fondacioni i të cilit ka kontribuar 450 milionë dollarë në përgjigjen globale të koronavirusit, i tha NBC’s Today se gjërat mund të kthehen drejt normalitetit në pranverë nëse amerikanët dyfishojnë masat e shëndetit publik tani.
”Kjo është një situatë paradoksale sepse gjërat po përkeqësohen. Katër deri në pesë muajt e ardhshëm duken mjaft të zymtë”, tha ai.
Ai vuri në dukje, megjithatë, se gjëja më me ndikim që njerëzit mund të bëjnë tani për të parandaluar rritjen e përkeqësimit ishte mbajtja e distancës dhe e maskave.
Duke folur për zhvillimin e vaksinës, Gates tha se ka të ngjarë që të gjithë kandidatët të kenë sukses duke pasur parasysh normat e efikasitetit nga Moderna dhe Pfizer.
”Duket se pothuajse të gjitha vaksinat do të kenë sukses. Është shkencë e mrekullueshme, prodhim i shkëlqyeshëm industrial, bashkëpunim perfekt, edhe midis vendeve. Pra, e dini, kjo është një luftë, ne jemi të gjithë së bashku”, tha ai.