Vetëm pak pasi Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka ngritur padi për shpifje ndaj Partisë Demokratike, selia blu reagoi duke njoftuar se ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal kundër ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe autoriteteve ushtarake, që sipas PD, kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste.
PD thekson se ministrja e Mbrojtjes ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore. “Për secilën nga shkeljet e ligjit, Kodi Penal parashikon përkatësisht deri në 7 dhe deri më 3 vjet burg”.
“Në kohën që ministrja e Mbrojtjes, për pushtetin e Edi Ramës, abuzon me helikopterin, i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim, nënat nuk kanë çfarë t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, mijëra prej tyre jetojnë akoma në çadra me kushte mizerabël, në varfëri ekstreme, nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet, nuk mund të bëjnë një tampon. Janë me mijëra mësuese që rrezikojnë çdo orë, që shfrytëzohen si skllave, me dhjetëra orë të papaguara në javë që nuk arrijnë të paguajnë për ilaçet dhe kurat anti-covid”, u shpreh Albana Vokshi.
Ndërkohë, për këtë akuzë reaguan edhe Forcat e Armatosura duke sqaruar se informacioni i përcjellë është i pasaktë dhe “përbaltja ndaj nesh është e papranueshme”. “Gjatë muajve të fundit, janë kryer jo 22, por 338 fluturime në të gjitha qarqet e vendit. Nuk ka asnjë shpërdorim misioni dhe kapacitetesh. Në një vit, Xhaçka përdori mjetet ajrore vetëm 4 herë, në Shkodër, Dibër e Gjirokastër. Udhëtimet e Xhaçkës në 3 qarqe, ku FA ka strukturat e saj rajonale të Mbrojtjes Civile”, lexohet në reagimin e FA-së. Sipas Forcës Ajrore, “përdorimi i mjeteve ajrore është e drejtë ligjore e Ministrit të Mbrojtjes” dhe “zëri buxhetor për fluturime i shpenzuar është vetëm 22% e buxhetit vjetor për fluturimet stërvitore”.