Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se po udhëton drejt Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në mediat sociale, Rama shkruan se po shkon atje për të siguruar vaksinën, e cila është prioritet për luftën kundër COVID-19.
Më tej ai njofton se do të ketë takim me prodhuesit e vaksinës dhe shton se nuk do lë gur pa lëvizur për ta siguruar atë.
“Sigurimi i vaksinës sa më parë është një prioritet i luftës sonë kundër Armikut të Padukshëm dhe s’do lemë gur pa luajtur që vaksina të fillojë të vijë sa më parë në Shqipëri!
Kontakti sy më sy me prodhuesit e vaksinës i shërben këtij qëllimi. Rrugës për në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Rama.
Më herët, kryeministri ka deklaruar se “Shqipëria po bën të gjitha përpjekjet për të garantuar vaksinat për COVID-19, pavarësisht çmimit të tyre”.
Rama ka nënvizuar se fillimisht do të fillojë vaksinimi falas i të gjithë kategorive më vulnerabël dhe pastaj ta shtrihet në të gjitha shtresat e popullsisë.