Greqia rikthen karantinën e detyruar për të gjithë personat që do të hyjnë në territorin e saj nga data 18 dhjetor deri më 7 janar.
Duke nisur nga data 18 dhjetor 2020 deri më 7 janar 2021, të gjithë qytetarët që hyjnë në territorin grek, përveç testit negativ PCR si dhe procedurës PLF, do i nënshtrohen testit të shpejtë në pikat e hyrjes si dhe karantinës së detyrueshme 10-ditore.
Nga kjo masë nuk përjashtohet askush, dhe nëse është për udhëtim ekspres për punë, apo edhe studentët grekë që vijnë për pak ditë pushime sezoni.
Qeveria greke njoftoi edhe zgjatjen deri më 7 janar të masave kryesore kufizuese, si mbyllja e shkollave, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, pasi presioni mbi spitalet mbetet shumë i lartë.
“Presioni mbi spitalet mbetet i lartë”, theksoi sot zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas në një konferencë shtypi.
“Rikthimi në normalitet duhet bërë gradualisht dhe në siguri”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi se shkollat, gjykatat, restorantet dhe sallat sportive, të argëtimit dhe stacionet e skive do të mbyllen deri më 7 janar.
“Ndalimi për lëvizje jashtë vendbanimeve do të zgjatet gjithashtu”, theksoi zëdhënësi.
Sot, dyqanet e zbukurimeve të Krishtlindjeve u rihapën, një përjashtim i parë nga rikufizimi i rreptë i vendosur që nga 7 nëntori, i dyti në Greqi që nga ai i pranverës.
“Njoftimet mbi rihapjen e salloneve të parukerisë dhe dyqaneve të tjera do të bëhen deri në fund të javës”, tha zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas.