Presidenti Ilir Meta, i njohur për qasjen e tij sportive, që herët, në rolin e peshëngritësit apo edhe komentatorit sportiv në “Radio Tirana”, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të ish-futbollistit të mirënjohur të Dinamos dhe kombëtares, Vasillaq Zëri.
Ky i fundit, me kontribute të jashtëzakonshme në futbollin shqiptar, u nda nga jeta të premten, në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Meta, pas homazheve, ka lënë këtë shënim në librin e përshtypjeve, të hapur nga familja me këtë rast:
“Me nderim të veçantë, por edhe trishtim të thellë, u përula sot për herë të fundit përpara Vasillaq Zërit, këtij futbollisti të madh e të paharruar të viteve ’70-’80, i cili jo vetëm njihej si magjistari i topit, teknikës dhe driblimit, por edhe si gjeneratori i kompozimit të trios së jashtëzakonshme Zëri, Përnaska, Ballgjini, që la gjurmë të pashlyera në futbollin shqiptar.
Ne do ta nderojmë Zërin edhe si trajner e edukator i fëmijëve dhe brezave të rinj në futboll, por edhe për vlerat më të mira qytetare. I përjetshëm kujtimi i Zërit!”