Bota Mbi 1.2 mln raste në Gjermani, Merkel kërkon bllokim më të rreptë...

Mbi 1.2 mln raste në Gjermani, Merkel kërkon bllokim më të rreptë pas Krishtlindjeve

Pushime më të gjata të Krishtlindjeve dhe dyqane të mbyllura menjëherë pas 27 dhjetorit. Është ky bllokimi i vështirë që kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka në agjendë, për të përballuar sfidën e zvogëlimit të numrit të infeksioneve të reja nga Covid-i në Gjermani, të cilat janë shumë të larta pavarësisht masave të marra deri më tani.

Sipas Bild, plani parashikon që nga 27 dhjetori deri më 3 ose 10 janar, shumica e dyqaneve do të mbyllen (me përjashtim të supermarketeve). Për më tepër, festat e Krishtlindjeve mund të zgjaten me një javë.

Merkel shprehu zhgënjimin e saj me zhvillimet e pandemisë, në një takim të Unionit (CDU-CSU), gjatë së cilës, sipas burimeve të pranishme, ajo e bëri të qartë se me masat aktuale nuk mund të përballemi me dimrin.

“Me parimin e shpresës ne nuk shkojmë përpara”, tha ajo. Megjithatë, edhe këtë herë nuk do të jetë e lehtë të vendosësh masa të reja, pasi Landet janë të parët që do ta kundërshtojnë këtë skenar.

Numri i rasteve të koronavirusit në Gjermani ka tejkaluar pragun prej 1,2 milionë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins. Deri më tani, 1 200 006 infeksione dhe 19 434 vdekje janë regjistruar në vend, ndërsa 888 701 njerëz janë shëruar që nga fillimi i pandemisë në Gjermani.