Politika Eurodeputetët: Të gjendet zgjidhja që negociatat të fillojnë në fund të vitit

Eurodeputetët: Të gjendet zgjidhja që negociatat të fillojnë në fund të vitit

Deputetët e Parlamentit Europian kanë bërë apel që të aprovohet korniza e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Në një deklaratë, nënshkruar nga më shumë se 20 eurodeputetë, përfaqësues të grupeve politike, nxisin të gjitha palët që të gjendet një zgjidhje që do të sigurojë çeljen e negociatave në fund të vitit.

Eurodeputetët paralajmërojnë se bllokimi i anëtarësimit të RMV-së dhe Shqipërisë rrezikon besueshmërinë e BE-së në Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu ata i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë që të gjejnë kompromis mbi çështjet dy palëshe dhe të shmanget shtyrja e procesit të pranimit në BE.

Për Shqipërinë thuhet se meriton të ecë në rrugën drejt anëtarësimit duke nënvizuar përpjekjet në reformat që janë ndërmarrë.

“Shqipëria e meriton të ecë përpara në rrugën e saj drejt anetarësimit në BE, vlerësojnë eurodeputetët, duke nënvizuar përpjekjet e gjithëanëshme në reforma, në mënyrë të veçantë në fushën e drejtësisë, gjatë viteve të fundit, sikurse vlerësohet edhe në vlerësimin e Komisionit Europian. Ata shtojnë se kjo përpjekje duhet nga Shqipëria edhe në disa çështje të tjera për të përmbushur të gjitha kushtet e nxjerra nga konkluzionet e Këshillit”.

Pas kësaj deklarate reagoi kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili përshëndeti thirrjen e eurodeputetëve.

“Përshëndes thirrjen e eurodeputetëve nga grupet kryesore politike, anëtarë të Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Europian, duke i kërkuar Këshillit miratimin e kuadrit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në takimin e sotëm të Ministrave të Çështjeve Europiane”, shkroi ai.