Një tjetër mjek ka humbur betejën me sëmundjen e koronavirusit në vendin tonë. Mjeku gjinekolog, 47-vjeçari Leonard Kamberi, nga Vlora, ka ndërruar jetë, mëngjesin e sotëm, në QSUT në Tiranë, ku ka qenë i shtruar prej dy javësh.
Leonard Kamberi ka punuar në Maternitetin e Vlorës, ndërsa aktualisht punonte në një klinikë private dhe ishte pedagog në Departamentin e Shëndetit Publik, të Universitetit të Vlorës
Humbja e mjekut shënoi humbjen e dytë brenda dy ditëve në radhët e personaliteteve të nderuara të Vlorës, pasi ditën e djeshme humbi jetën prej Covid-19 dhe pedagogia, Dafina Brokaj.
Për ndarjen nga jeta të mjekut vlonjat, ka reaguar edhe kryebashkiaku Dritan Leli.
“Nard Kamberi, një tjetër mjek i talentuar dhe mik i rrallë, na u largua sot të gjithëve duke lënë vetëm bashkëshorten, Erindën, që pas pak ditësh pret të bëhet nënë për herë të parë, me fëmijën që prisnin me dashuri pas kaq shumë kohësh. Të prehesh në paqe Nardi! Do na mungosh shumë!”, shkruan Leli.