Aktualitet Zbardhet dëshmia e policit që vrau të riun në Laprakë

Zbardhet dëshmia e policit që vrau të riun në Laprakë

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë mbrëmjen e djeshme, në Tiranë do të kryhen nga Prokuroria e Tiranës dhe SHÇBA-ja pasi policia është përjashtuar për shkak të konfliktit të interesit.

Dëshmia e policit që vrau të riun

“I kërkova të riut të ndalonte për ta pyetur për arsyen e daljes por ai nuk u bind. Herë pas here kthehej dhe m’u duk sikur më kërcënoi me armë dhe veprova”.

Kështu deklaron efektivi i policisë që qëlloi me armë zjarri gjatë shërbimit 25-vjeçarin Klodjan Raxha, duke i shkaktuar atij vdekjen. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:45 në rrugën ‘Dritan Hoxha’ në Laprakë.

Polici ka thënë se kishte menduar se i riu e kishte kërcënuar me armë dhe ndaj kishte vepruar.

“Isha turni i tretë në punë. Pas instruktazhit në komisariat kam nisur patrullimin në zonë për të parë zbatimin e ligjit dhe të masave të vendosura nga Komiteti Teknik. Kam konstatuar në unazë një dalë të ri që sapo na pa u largua me vrap në mënyrë të dyshimte. Kam njoftuar sallën dhe i jam vënë në ndjekje ku herë pas here i kam bëreë thirrje të ndalojë. I kërkova të ndalojë për ta pyetur për arsyen e daljes, por ai nuk u bind. Herë pas here kthehej dhe m’u duk sikur më kërcënoi me armë dhe veprova”, tha polici.

Dyshime se polici nuk veproi sipas rregullave

Ndaj efektivit të Shqiponjave me inicialet N. H. janë ngritur dyshime të forta se nuk ka zbatuar protokollin kur ishte përballë 25-vjeçarit Klodian Rasha. Atij dyshohet se i ka dalë situata jashtë kontrollit për shkak të mungesës së eksperiencës.

Ai kishte vetëm dy javë që ishte transferuar në repartin “Shqiponja”. Më parë ka shërbyer në Komisariatin nr. 5 në Kamëz. Burimet ndërkohë bëjnë me dije se efektivët “Shqiponja” nuk kanë patur kamera trupi të instaluara. Nga ana tjetër, në njoftimin zyrtar, policia tha se gjithçka kishte ndodhur për shkak të rrethanave dhe mungesës së ndriçimit në rrugë.

Por banorët thonë se rruga “Dritan Hoxha” është gjithmonë e ndriçuar. Për efektivin është hapur një proces hetimor dhe deri tani janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Por kamerat e sigurisë së një servisi nuk kanë qenë të ndezura e si rrjedhojë nuk kanë kapur asgjë. Kurse kamera e një biznesi në afërsi të Kupolës ka kapur disa sekuenca të të riut, teksa vraponte.