Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se pikëpamjet e Kongresit Amerikan për Ballkanin nuk e ndihmojnë vendin e tij.
Ai shpreson që administrata e ardhshme e Joe Biden, të ketë një qasje ndryshe nga ajo e paraqitur në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Në të thuhej se Serbia nuk do të pranohet në Bashkimin Europian pa njohur pavarësinë e Kosovës. Duke marrë shkas nga kjo, Vuçiç theksoi se rezultati i zgjedhjeve në SHBA ka impakt edhe në Beograd.
Ai shton se me ndërrimin e administratës pret një presion të madh për njohjen e Kosovës.
“Për të nënshkruar aktin e pavarësisë së Kosovës, unë garantoj se do të merrja Çmimin Nobel për Paqen”, përfundon presidenti serb.