Politika Merkel nuk dorëzohet, kërkon heqjen e bllokadës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e...

Merkel nuk dorëzohet, kërkon heqjen e bllokadës për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Edhe pse çështja e zgjerimit u hoq nga agjenda e samitit 2-ditor në Bruksel, burime diplomatike, të cituara nga Evropa e Lirë, thonë se kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të angazhohet personalisht në takime bilaterale me homologë të shteteve të tjera për zhbllokimin e procesit, përpara mbylljes së presidencës gjermane të unionit.

Bllokada kryesore vjen nga Bullgaria, që nuk pranon kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut pa tejkaluar problemet bilaterale. Sipas diplomatëve në Bruksel, Merkel po shqyrton tri opsione.

I pari, është miratimi i konkluzioneve për zgjerimin dhe stabilizim-asocimin si dhe i kornizave negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, opsioni i dytë lidhet me miratimin vetëm të konkluzioneve të Këshillit të BE-së dhe i fundit, i cili ka pak gjasa të ndodhë, është Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe të ecë përpara me mbajtjen e tryezës ndërqeveritare.

Megjithatë, kjo kundërshtohet nga disa vende anëtare pasi kërkojnë që Tirana të plotësojë dhe disa kushte. Për procesin e zgjerimit foli edhe raportuesja për Shqipërinë, Isabel Santos, që prezantoi draft-raportin për vendin tonë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian.

“Patjetër që jemi përqëndruar te reformat. Pikëpamjet tona nuk kanë ndryshuar dhe në draft-raportin tim, kam ndjekur edhe pikëpamjet e KE. Kërkesat që ka bërë KE duhet të plotësohen. Kam edhe një sërë shqetësimesh që i kam prezantuar në raport. Jam e shqetësuar për shoqërinë civile, për pjesëmarrjen e saj në proceset politike. Duhet më shumë transparencë, të vijojë reforma kundër korrupsionit e krimit të organizuar e të përfundohet Reforma në Drejtësi. Këto janë gjëra për të cilat duhet punuar”, u shpreh Santos.

Por, eurodeputetë të tjerë treguan një mbështetje të fortë për vendin tonë në procesin e integrimit në BE dhe e konsideruan diçka të padrejtë, vendosjen e kushteve herë pas here.