Ekonomi Sejko: Humbëm 50 mijë vende pune nga pandemia

Sejko: Humbëm 50 mijë vende pune nga pandemia

Guvernatori, Gent Sejko, tha të mërkurën se Banka e Shqipërisë ngelet optimiste që aktiviteti ekonomik pritet të rigjallërohet në dy vitet e ardhshme.

Gjatë fjalës në workshop-in e XIV të Kërkimeve Ekonomike në Evropën Juglindore, Guvernatori tha se, pavarësisht goditjes së fortë nga pandemia, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm.

“Sistemi bankar shqiptar mbetet i shëndetshëm, pavarësisht sfidave me të cilat po e përball pandemia. Masat operacionale të menjëhershme të ndërmarra nga bankat, si dhe masat mikro dhe makroprudenciale të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, siguruan jo vetëm vazhdimësinë e kryerjes së funksioneve kritike të bankave, por gjithashtu ndërmjetësim financiar të kënaqshëm, pavarësisht goditjes së rëndë që pësoi ekonomia. Kredia për ekonominë po rritet, kapitali është i mjaftueshëm dhe bilancet e bankave mbeten të shëndetshme, duke sinjalizuar aftësinë e tyre për t’i përballuar goditjet e raundit të pare,” u shpreh Guvernatori.

“Të dhënat e fundit sugjerojnë se pandemia ka goditur fort ekonominë shqiptare, e cila, si pasojë, përjetoi ngushtimin më të fortë të prodhimit të brendshëm bruto, në dy dekadat e fundit, në -10.2%, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020. Të dhënat makro nga tregjet e punës tregojnë se, krahasuar me fundin e vitit 2019, ekonomia shqiptare humbi rreth 50 mijë vende pune, e barasvlershme me një rënie vjetore të punësimit prej 3.6%. Si rrjedhim, norma e papunësisë u rrit në 11.9%.

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, inflacioni, në tremujorin e tretë, ra në 1.4%, nga 1.9% në tremujorin e kaluar. Pavarësisht këtyre goditjeve negative, masat e marra nga Banka e Shqipërisë ofruan stimulin monetar të nevojshëm për të mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare dhe për të siguruar fluksin e kredisë në ekonomi. Normat e interesit për individët dhe bizneset janë në nivele të ulëta, presionet për likuiditet janë nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit është i qëndrueshëm”, tha Sejko.

Megjithatë, Sejko theksoi se ende parashikimi ekonomik për të ardhmen shoqërohet nga një nivel i lartë pasigurie.

“Në periudhën afatshkurtër, rreziqet lidhen më së shumti me pasigurinë e vetë pandemisë, ashpërsinë e saj, kohëzgjatjen dhe rikthimin e mundshëm të masave kufizuese. Në periudhën afatgjatë, rreziqet lidhen me dëmtimin afatgjatë mbështetur nga kapacitetet prodhuese dhe kërkesa e brendshme, si dhe nga ndryshimi i mundshëm strukturor në ekonomi, si rezultat i sjelljes së ndryshuar të agjentëve ekonomikë. Ne jemi të sigurt se evidencat, analizat dhe parashikimet e bazuara në punën kërkimore do të ofrojnë informacionin e saktë dhe në kohë për orientimin dhe koordinimin e politikës,” tha ai.

Sejko tha se kriza pandemike ka sjellë një ndryshim të instrumenteve dhe rolit tradicional të bankave qendrore. Por, ai nënvizoi se instrumentet që po përdorin bankat qendrore të vendeve të zhvilluara mund të mos jenë të zbatueshme dhe të efektshme në ekonomi si Shqipëria.

“Bankat qendrore, udhëheqëse në ekonomitë e zhvilluara, ato të cilat përcaktojnë tendencat, janë në proces rishikimi të objektivave të tyre dhe të politikës monetare. Duke u mbështetur në analizat dhe përfundimet e kërkimeve, ato po rishkruajnë ekonomiksin monetar, duke u dhënë bankave qendrore një instrument të ri në formën e përdorimit të përhershëm të bilancit të bankës qendrore, si mjet të zgjerimit monetar.

Megjithatë, ndërsa zbatimi i strategjive të bilancit është i lehtë për t’u ndjekur dhe për t’u trajtuar nga bankat qendrore të vendeve të zhvilluara, disa politika mund të mos jenë lehtësisht të përvetësueshme dhe të zbatueshme në ekonomitë në zhvillim. Tregjet e ngushta dhe jo të zhvilluara të kapitalit, problemet me përfshirjen financiare dhe edukimin financiar, bilance dhe histori të sektorit privat, publik dhe bilance fiskale të stresuara, na kujtojnë për rreziqet e ndryshme potenciale që këto politika mund të mbartin për ekonomitë e dollarizuara apo të euroizuara të Europës Juglindore. Ende në prani të pengesave aktuale të hasura nga politika monetare, ne na duhet të reagojmë dhe të gjejmë rrugë të reja për të mbështetur ekonominë,” tha Sejko.

Workshop-i i kërkimeve në europën Juglindore është një aktivitet që Banka e Shqipërisë e organizon prej vitesh dhe që  synon të ofrojë një forum diskutimi të punëve dhe projekteve kërkimore të kryera nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2020, dhe të nxisë shkëmbimin e pikëpamjeve midis kërkuesve të Bankës së Shqipërisë dhe kërkuesve nga bankat qendrore të rajonit e më gjerë, si dhe nga akademia vendase dhe e huaj, mbi rezultatet e kërkimit shkencor për çështjet e lidhura me aktivitetin e bankave qendrore.