Politika “Mish për top për të shpëtuar Ramën”, Basha flet për dorëheqjen e...

“Mish për top për të shpëtuar Ramën”, Basha flet për dorëheqjen e Lleshajt

Lulzim Basha mbajti një fjalim me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, kur ndër të tjera foli edhe për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, si dhe dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Basha u shpreh se kryeministri Rama reagoi pas 3 ditësh, pasi sipas tij u tentua të manipulohej krimi shtetëror.

“Vrasja e Klodian Rashës në derë të shtëpisë, tregues i pandjeshmërisë ndaj qytetarëve. Mizore përpjekja për të fshehur e manipuluar krimin shtetëror. Rama, hazërxhevap për banalitete, 3 ditë heshtje për vrasjen e Klodianit. Heshtja e Ramës, ndërsa përpiqej të manipulonte opinionin. Reagimi pas 3 ditësh, pasi pa vendosmërinë e qytetarëve. Ministri i Brendshëm, mish për top për të shpëtuar Ramën”, u shpreh Basha.

Basha komentoi edhe protestat e dy ditëve të fundit. “Krenari e madhe për këtë rini. Si para 30 vitesh, të rinjtë e sotëm nuk durojnë propagandën qeveritare. Të rinjtë nuk rrinë dot duarkryq para padrejtësisë dhe krimit shtetëror. Rinia shqiptare nuk ka e frikë dhunën e kësaj policie politike”, u shpreh Basha.