Nga 16 dhjetori deri më 10 janar Gjermania kalon në një mbyllje të dytë të përgjithshme. Përjashtime të pjesshme do të ketë vetëm për tri ditët e festës së Krishtlindjeve.
Të gjitha dyqanet në Gjermani do të qëndrojnë të mbyllur duke filluar nga data 16 dhjetor deri më 10 janar. Përjashtim do të bëhet vetëm për dyqanet e nevojave të përditshme dhe farmacitë.
Po ashtu do të mbyllen shkollat, kopshtet, floktoret, studiot e kozmetikës dhe studiot e masazheve dhe të tatuazheve.
Kufizime në hapësirat publike
Në këtë periudhë nuk do të lejohet më të konsumohet as alkool apo ushqime në vende publike. Kontaktet duhet të reduktohen vetëm deri në maksimumi pesë vetë.
Përjashtim do të ketë vetëm gjatë ditëve të festave të Krishtlindjeve, ku do të lejohet të mblidhen për të festuar në shtëpi një numër pak më i madh njerëzish.
Festimi i Vitit të Ri do të kalohet në heshtje dhe ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve
Merkel: Jemi të detyruar të veprojmë
“Jemi të detyruar të veprojmë”, tha Kancelarja gjermane Angela Merkel në një konferencë shtypi sot në Berlin.
“Ne e dimë që sistemi shëndetësor në këtë moment është shumë i ngarkuar. Në këto kushte, na duhet veprim urgjent”, tha ajo duke shtuar se për autoritete shëndetësore synim mbetet mundësia e rindërtimit të zinxhirëve të kontaktit dhe rikthimi te një incidencë deri në 50 raste të reja për 100 000 banorë në shtatë ditë.
Gjermania ka qenë nën një bllokim të pjesshëm për gjashtë javët e fundit, me bare, restorante të mbyllura. Por masat aktuale nuk kanë arritur të frenojnë mjaftueshëm shkallën në rritje të infeksionit në vend.
Merkel tha se mbyllja e lehtë që kemi filluar qysh në 2 nëntor ka arritur një sukses të pjesshëm. “Arritëm ta ndalnim për ca kohë rritjen eksponenciale“, tha Kancelarja, “por prej disa ditësh kemi sërish një rritje eksponenciale.”
Të dielën, Instituti i Gjermanisë Robert Koch për Sëmundjet Infektive raportoi 20,200 infeksione të reja dhe 321 viktima. Numri është më pak se rekordi i së premtes me 29,875 raste. Kapaciteti i njësisë së kujdesit intensiv të vendit është gjithashtu në një nivel kritik dhe mjekët kanë paralajmëruar se vetëm pesë deri në 10% të shtretërve të kujdesit intensiv janë në dispozicion në disa pjesë të vendit.