Politika “Mimoza llastica” shpalos ambicien për t’u bërë deputete e PS

“Mimoza llastica” shpalos ambicien për t’u bërë deputete e PS

E njohur për të gjithë si vajza që luajti personazhin e “Mimoza Llasticës” në filmin kult të konostudios “Shqipëria e re”, aktorja Zhaklina Dhimojani Blattler, e ftuar në emision “Ftesë në 5” të moderates Bieta Sulo shprehu aspiratën për të kandiduar si deputete nën siglën e Partisë Socialiste.

“Unë kam ambicien dhe përvojën që të kontribuoj për zhvillimin e mëtejshëm të Himarës sime, të Bregut dhe të gjithë Shqipërisë. Këtë dua ta bëj me Partinë Socialiste, forcën më progresive dhe më moderne të vendit”, u shpreh znj. Dhimojani Blattler.

E pyetur nga moderatorja rreth miqësisë së saj me kryeministrin Rama, ajo u shpreh se me të e lidhin kujtimet e fëmijërisë dhe shkollës. “Unë dua të bëhem pjesë e ekipit të tij në Parlament për të kontribuar në Rilindjen e Bregut, një proces që ka nisur më herët. Një miku ynë i përbashkët, gazetar i njohur, thotë se Bregu është i bekuar. Turizmi në Breg është i garantuar prej sivëllezërve tanë lebër, që janë marrë e merren me blegtori. Unë kam një plan të zhvillimit të integruar të Labërisë me Bregun. Si dikur”, theksoi Dhimojani.

Gjatë bisedës në studio ajo u ndal edhe në nismat e saj humanitare. Vetëm para pak ditësh znj. Dhimojani Blattler dhuroi shtretër dhe pajisje të tjera spitalore, autoambulanca, si dhe zjarrfikëse dhe pajisje informatike për Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mbrojtjes. Këto donacione sipas saj do të vijojnë.

E pyetur në lidhje me personazhet e filmave ku ka luajtur, znj. Dhimojani Blattler u shpreh se ndihej krenare, por se tani ka marrë angazhimin që të promovojë kulturën dhe artin shqiptar në Diasporë përmes organizimit dhe financimit të aktiviteteve kulturore.

Znj. Dhimojani është anëtare e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe Kryetare e Aleancës së Grave Këshilltare. Disa nga nismat e saj lokale në dobi të ruajtjes së ekosistemit dhe trashëgimisë të qytetit jugor kanë marrë jehonë. Këtë angazhim për vendin e saj znj. Dhimojani synon ta vazhdojë nga Parlamenti i Shqipërisë.