Të paktën 9 persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi të një bombole oksigjeni në një spital COVID në Turqi.
Mediat vendase raportojnë se pas shpërthimi ka pasur dhe një zjarr masiv. Ngjarja ka ndodhur në Spitalin Universitar Sanko në Gaziantep.
Nga spitali është njoftuar se viktimat janë të moshës midis 56 dhe 85 vjeç. Po ashtu bëhet me dije se 14 pacientë që i nënshtroheshin trajtimit të kujdesit intensiv u transferuan në spitale të tjera.
Lidhur me këtë ngjarje ka nisur dhe një hetim, pasi ende nuk dihet shkaku pse shpërtheu bombola e oksigjenit.
Një deklaratë është bërë dhe nga ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca, i cili tha se të gjithë janë të shqetësuar, por tashmë gjithçka është nën kontroll. Ai ngushëlloi familjet e viktimave dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë ata që janë plagosur.
Nga ana tjetër spitalet në Turqi janë të mbushur plot dhe shumë pacientë janë në kujdes intensiv. Ministria e Shëndetësisë raportoi një ditë më parë 26,410 raste të reja.
Po ashtu edhe numri i vdekjeve në Turqi vijon të jetë i lartë dhe që nga nisja e pandemisë kanë humbur jetën 17,610 persona.