Mediat italiane kanë publikuar detaje të tjera në lidhje me vrasjen dhe masakrimin e çiftit shqiptar Shpëtim e Teuta Pasho. Për ngjarjen është arrestuar Elona Kalesha, 36-vjeçarja e cila ka qenë e lidhur me djalin e çiftit, Taulantin.
Hetuesit kanë përgjuar telefonatat e vajzave të çiftit Pasho dhe të Elona Kaleshës. Telefonata që u ka bërë më shumë përshtypje, karabinierëve ka qenë ajo e Kaleshës me të fejuarën e të vëllait, Gaia-n. Kjo e fundit e pyet të renë shqiptare se kush është “i dyshuari”. 36-vjeçarja në këtë bisedë telefonike ka fajësuar të dashurin e saj, djalin e çiftit Pasho për vrasjen.
“Më dëgjo. Kaq shumë po më shkruajnë saqë dihej shumë që ishte ai, ishte djali që i vrau, ishte Taulanti”, thotë Kalesha.
Për të mbështetur tezën e saj, Elona thotë se edhe vëllai i Shpëtim Pashos ka thënë prej vitesh që vrasësi është Taulanti. “Nuk i ka kërkuar, kupton. Nuk i ka kërkuar. Si mund të mos kërkosh prindërit e tu”, thotë Klesha.
Bashkëbiseduesja i thotë Kaleshës se duhet guxim për të vrarë prindërit, dhe kjo e fundit i është kthyer duke iu përgjigjur se Taulant Pasho ka qenë i dhunshëm në të shkuarën. “I ka marrë dhe i ka tërhequr zvarrë me skuter”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, në përgjim kanë qenë edhe vajzat e çiftit Pasho. Vitoria është dëgjuar të thotë qartësisht në telefon se vrasësja është Elona Kalesha dhe për këtë ka lajmëruar familjen e saj. Edhe Dorina Pasho ka të njëjtën ide.
“Tashmë jam e vendosur dhe them se atë e ka bërë ajo dhe jo vëllai im. Mund të flisni sa të doni. E ka bërë ajo me vëllain, me babain, me nigerianët që punonte”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Elona Kalesha thotë se nuk është ajo autorja e krimit dhe se në ditën e vrasjes së prindërve të të dashurit janë zhdukur 60 mijë euro.
“Ata u zhdukën në të njëjtën ditë kur u largua djali”, është shprehur ajo.
Shpëtim e Teuta Pasho ishin zhdukur prej 2015-ës. Trupat e pajetë të tyre u gjetën të copëtuar në disa valixhe në Firence.