Kryesore Europa miraton vaksinën e Moderna: Ku ndryshon nga Pfizer

Europa miraton vaksinën e Moderna: Ku ndryshon nga Pfizer

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) i ka dhënë dritën jeshile vaksinës Moderna, kundër Covid-19, një lëvizje që së shpejti do t’i  hapë rrugën shpërndarjes në bllok.

Kjo është vaksina e dytë që merr dritën jeshile nga agjencia europiane. Më 21 dhjetor, kjo agjenci miratoi vaksinën Pfizer-BioNtech.

Pas rekomandimit nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA), tani duhet të autorizohet zyrtarisht nga Komisioni Europian, i cili pritet të bëhet së shpejti.

Drejtoresha ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke, tha të mërkurën se kjo vaksinë na ofron një mjet tjetër për të kapërcyer emergjencën aktuale.

“Është një dëshmi e përpjekjeve dhe angazhimit të të gjithëve që kemi këtë rekomandim të dytë pozitiv të vaksinës, vetëm pak nga një vit që kur u shpall pandemia nga OBSH”, tha ajo.

Presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në Twitter se EMA kishte zbuluar se vaksina Moderna është e sigurt dhe efektive dhe se vendimi i tyre është një “lajm i mirë për përpjekjet tona për të sjellë më shumë vaksina COVID-19 te europianët!“

“Tani ne jemi duke punuar me shpejtësi të plotë për ta miratuar dhe për ta bërë të disponueshëm në BE”, tha ajo.

SHBA, Kanadaja dhe Izraeli kanë autorizuar tashmë ”Moderna”-n.

Pfizer/BioNTech dhe Moderna: Cilat janë dallimet

Vaksina Pfizer njësoj si ajo Moderna përdor teknologjinë inovative të mesazhit RNA. Me pak fjalë, kjo teknologji mëson qelizat tona se si të prodhojnë një proteinë e cila është ajo që e bën sistemin imunitar të reagojë.

Pretendohet se efikasiteti i tyre në luftimin me sukses të COVID-19, deri në 95%, është më i lartë se ai i AstraZeneca.

Sidoqoftë, të dyja janë të kushtueshme.

Pengesa më e madhe e Pfizer është se ajo duhet të ruhet në të ftohtin ekstrem, në temperatura nga -70 gradë deri në -80 gradë. Ndërkohë Moderna mund të qëndrojë për 30 ditë në një temperaturë midis 2-8 gradë, por për periudha më të gjata do të duhet të qëndrojë në -20 gradë.

Vaksina e Oxford/Astrazeneca

Krahasuar me Pfizer dhe Moderna, AstraZeneca përdor një teknikë tradicionale të vaksinës, duke përdorur një version të dobësuar të virusit që shkakton ftohjen e zakonshme te shimpanzetë. Ky virus është ndryshuar gjenetikisht me një gjen për një proteinë koronavirus, për të provokuar kësisoj dhe reagimin imunitar të trupit. Shkalla e efikasitetit të saj është më e ulët, rreth 70% por në kushte të caktuara efikasiteti i saj mund të arrijë deri në 90%. Vaksina AstraZeneca është shumë më e lirë dhe më e lehtë për t’u ruajtur sesa vaksina e Pfizer, por ende nuk është miratuar nga Agjencia Europiane e Barnave.