Sport “Me mua dhe Messin, PSG bëhet skuadër e madhe”, Ramos refuzon rinovimin...

“Me mua dhe Messin, PSG bëhet skuadër e madhe”, Ramos refuzon rinovimin me Realin

Reali i Madridit duket se është dorëzuar dhe do të humbasë kapitenin e tij, Sergio Ramos. Në Spanjë janë zbuluar prapaskenat e divorcit të bujshëm mes Ramosit dhe madrilenëve në fund të sezonit. Zbulohet gjithashtu se mbrojtësi është gati t’i bashkohet PSG-së, bashkë me Lionel Mesin.

Kapitenit të “Los Blancos”, ashtu si dhe Lionel Messit, i skadon kontrata në qershor dhe në një takim të fundit që ka pasur me presidentin Florentino Perez, e ka refuzuar ofertën e fundit për rinovimin, duke e mbyllur ndoshta përfundimisht mundësinë e qëndrimit te Reali.

Detajet i ka bërë të ditur “El Chiringuito”, që ka informacion të saktë për atë çfarë ndodh te Reali. Në takimin me presidentin, Ramos ka thënë: “Nuk e pranoj propozimin që më keni bërë dhe do të filloj të dëgjoj ofertat që do të më vijnë”. Dhe oferta e parë është ajo e PSG-së. “Me mua dhe Messin do të bëjnë një skuadër të madhe”, – ka shtuar më tej “El Gran Capitan”.

Florentino Perez, gjithmonë sipas “El Chiringuito” është përgjigjur: “Nëse të vjen një ofertë e mirë, do të bisedojmë”. Media të tjera në Spanjë bëjnë me dije se Ramos nuk i ka kthyer ende përgjigje Realit. Atij i është propozuar rinovimi 2-vjeçar me reduktim të pagës në masën 10%. Aktualisht, Ramos paguhet 15 milionë euro në sezon.