Dopietë e tij në “San Siro”, në ndeshjen e vlefshme për “Scudetto”. Federico Chiesa e nderon fanellën bardhezi nën tingujt e golave vendimtar. Nuk ishin golat e pare të tij me kampionët, por sigurisht të parët me një peshë specifike shumë të lartë.
Pas ndeshjes 23-vjeçari foli për mediet italiane dhe u duk modest dhe me këmbë në tokë pas asaj super paraqitje.
“Jam mirë, kam pasur vetëm një problem në ijë, pa dëmtime muskulore, nesër të jem shëruar. Nuk vrapova shumë shpejt, i thashë trajnerit se nuk mund të vrapoja shpejt dhe ai bëri zgjedhjen e tij. Më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, është vazhdimësia e paraqitjeve.
Edhe nëse nuk shënon, duhet të luash mirë, duhet të japësh gjithçka. Dhe golat janë rezultat i kësaj. Trajneri më kërkon të shfrytëzoj hapësirat sepse lojtarë si Dybala dhe Ronaldo shohin gjëra, që të tjerët nuk i bëjnë. Ata kërkojnë diçka më shumë se zakonisht. Përgjegjësitë janë më të mëdha.
Unë jam gjithmonë bujar në fushë, gjithmonë përpiqem të ndihmoj ekipin edhe në mbrojtje. Jam shumë i lumtur sepse në pjesën e parë, kur ata na sulmuan, ekipi vuajti së bashku. Sot është një rezultat i shkëlqyer kolektiv, jemi vërtet të lumtur”, u shpreh anësori.
I ngacmuar se ndryshe nga Fiorentina, te Juvja vrapon më shumë, Chiesa përgjigjet duke buzëqeshur dhe krahasuar përgjegjësitë midis dy skuadrave: “Te Juventusi kërkojnë diçka më shumë… Përgjegjësitë janë më të mëdha. Unë gjithmonë përpiqem të ndihmoj edhe në fazën mbrojtëse”.