Sport Inter nuk di të fitojë pa Lukakun. Nis kërkimi për zëvendësin e...

Inter nuk di të fitojë pa Lukakun. Nis kërkimi për zëvendësin e belgut

Inter po kërkon me ngulm një qendërsulmues që të shërbejë si zëvendës i Lukakut. Zikaltërit kuptuan pas humbjes ndaj Sampdorias (11 goditje në portë, një penallti e humbur dhe një shtyllë e goditur) se pa belgun e kanë të vështirë të dërgojnë topin në rrjetë.

Alexis Sanchez dhe Perisic nuk janë të saktë në finalizim, duke bërë që trajneri Antonio Conte të tmerrohet edhe për dëmtimin më të vogël të Lukakut.

Shifrat tregojnë se në 5 ndeshjet ku Lukaku nuk ka luajtur ose e ka nisur takimin nga stoli, Interi ka fituar në vetëm një rast. Kundër Parmës (2-2), kundër Realit (humbje 3-2), kundër Atalantës (1-1) dhe kundër Sampdorias (humbje 2-1). Fitorja e vetme ka qenë ajo kundër Sassuolos.

Në merkato është vështirë të gjendet një sulmues i nivelit të belgut, kështu që po përfliten emra si Gervinho, Gomez, Eder dhe Pellè. Duke përjashtuar të papriturat, sulmuesi i ri i Interit do të jetë një mes emrave të lartpërmendur.