Kryeministri Edi Rama ka shkuar sot në Lezhë, ku ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Rama sërish e shikon situatën me optimizëm, pasi sipas tij “falë punës së madhe të bërë vit pas viti me zhbllokimin e sistemimin e kanaleve kulluese dhe me argjinaturat, dëmet janë dhjetëra e dhjetëra herë më të vogla”.
Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka kërkuar ndërhyrje nga qeveria për lagjen Varosh në Lezhë pasi rrezikohen disa banesa të shemben nga rrëshqitja e dherave.
Pjerin Ndreu: Janë rrezikuar disa shtëpi, edhe poshtë edhe sipër. Ne kemi bërë evakuimin e disa banorëve, e kemi izoluar si zonë, por nëse vazhdohet me reshjet e shiut mund të ketë probleme. Situata është kjo për momentin, kërkohet ndërhyrje urgjente.
Edi Rama: Kanë ndërtuar pa leje.
Pjerin Ndreu: Pa leje kanë ndërtuar të gjithë se nuk lejohej për ndërtim, por disa nga shtëpitë janë në proces legalizimin. Kjo zonë nuk ka qenë për ndërtim se ka pasur dhe herë të tjera rrëshqitje dherash.
Edi Rama: Me gjithë këto detaje, prapë janë disa familje që rrezikojnë dhe duhet marrë masa.
Më tej Rama është shprehur se situata sot është më mirë se në vitin 2010, edhe pse reshjet janë 2 herë më shumë se në atë kohë.
“Mbrëmë pashë të gjitha statistikat dhe reshjet ishin dy herë më shumë se ato të 2010-ës, dhe po të ishin në atë kohë përmbytjet do ishin shumë më shumë. Kur ka një sasi kaq të madhe reshjesh nuk u bën dot asgjë asnjë shtet, jo vetëm ne, por dhe Gjermania, Franca etj. Rëndësi ka se sa shpejt ikën uji, ne 40 familje kemi që do të evakuohen”, tha Rama.