Deri më tani janë aprovuar tre vaksina nga shtetet kryesore perëndimore, të trija që të jenë funksionale duhet që të kryhen në dy doza. Por në biznesin e vaksinave një tjetër duket se do të jetë së shpejti në dispozicion, i cili do të funksionojë me vetëm një dozë.
“Johnson & Johnson” pritet të japë rezultatet paraprake të testeve në fazën e fundit deri në fund të janarit. Nëse doza është e sigurt dhe efektive, kompania synon të prodhojë të paktën 1 miliard doza deri në fund të vitit.
Vaksina J&J u zhvillua nga njësia belge e kompanisë, Janssen Pharmaceutica, dhe bazohet në teknologjinë vektoriale të adenovirusit viral, e njëjta qasje e përdorur për të krijuar vaksinën e Universitetit të Oksfordit-AstraZeneca. Kjo lloj doze është më i lehtë për t’u prodhuar sesa ato të zhvilluara nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të cilat bazohen në teknologjinë e ARN-së.
Një ekspert i kujdesit shëndetësor, Adam Barker, u shpreh: “Vaksina J&J është më shumë si vaksina AstraZeneca, por përdor vetëm një dozë. Pra, ne e dimë që kjo qasje funksionon dhe synon proteinën spike. Ne e dimë që edhe targeti funksionon. Por, do të duhet të shohim se çfarë bën një dozë”.
Ekipi i kujdesit shëndetësor tha në një shënim kërkimor të botuar javën e kaluar, se vaksina e J&J ofron “elementë unikë dhe efikasiteti mund të befasojë në reagimin ndaj pandemisë dhe rimëkëmbjen e tregut“.
Kompania është besimplotë në sigurinë e vaksinës, që ka dhënë prova të hershme, me suksesin paraprak dhe sigurinë e demonstruar në vaksinën kundër Ebola-a si dhe në kërkimet e arritura në HIV dhe Zika.
Një raport nga Instituti për Ndryshimin Global, i themeluar nga ish-kryeministri britanik, i quan vaksinat e AstraZeneca dhe Johnson & Johnson një arritje, për shkak se janë më të lehta për t’u administrua.
Me teknologjinë e J & J, vaksina vlerësohet të mbetet e qëndrueshme për të paktën tre muaj në temperatura normale në frigorifer, kështu që nuk kërkon infrastrukturë të re për t’u transportuar.
J&J përfundoi regjistrimin e provës klinike të fazës tre me 45,000 pjesëmarrës në 17 dhjetor. Të dhënat paraprake nga prova pritet të jenë në dispozicion deri në fund të muajit.