Është një leksion që shumë politikanë, kryesisht meshkuj, e kanë mësuar në mënyrën më të vështirë gjatë 15 viteve të fundit: mos nënvlerëso kurrë Angela Merkel.
Kancelarja gjermane përgatitet të largohet nga jeta politike gjatë këtij viti, pasi çimentoi pozicionin e saj si një ndër liderët më të suksesshëm të botës. Gjatë mandateve të saj, është përballur me 5 kryeministra të ndryshëm britanikë, 4 presidentë të Francës, 7 kryeministra të Italisë dhe për pak ditë edhe me 4 presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht historikut të saj, Merkel, udhëheqësja e ekonomisë së katërt më të madhe në botë, ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës politike duke e provuar veten.
Homologët e saj janë përpjekur ta mposhtin apo edhe ta poshtërojnë. Vladimir Putin një herë solli një qen të racës labrador në takimin e tij me Kancelaren, e cila ka shumë frikë nga qentë. Donald Trump i tha asaj se ishte budallaqe. Silvio Berlusconi një herë e la atë duke pritur për 15 minuta, ndërsa ai bisedonte në telefon.
Kur ajo u bë gruaja e parë që mori detyrën e lartë të Gjermanisë në 2005, shumë e konsideruan atë shumë të papërvojë dhe jo karizmatike për të vazhduar. E zgjedhur si lidere kalimtare, shpejt do të provonte se aftësitë ishin shumë të mëdha saqë qëndroi në drejtim të partisë së Unionit Kristiandemokrat CDU për 18 vite.
Kritikët më të vendosur të Merkel tashmë janë kthyer në admirues të punës së saj, pasi udhëhoqi Gjermaninë përmes krizës financiare globale, krizës së borxhit në zonën e euros dhe krizës së emigracionit; tashmë ajo mbetet në krye të luftës kundër pandemisë së koronavirusit.
Shpesh ka vepruar si zëri i arsyes dhe krijuese e marrëveshjeve. Analistët e cilësojnë shpesh Merkel si “mbretëreshë” të Europës dhe për shumë është mishërimi i lideres perfekte. Dorëheqja në 2018 trazoi jo vetëm politikën gjermane, por edhe atë europiane e botërore.
Së fundmi u zgjodh Armin Laschet si pasuesi i saj, pasi zgjedhja e parë, Annegret Kramp-Karrenbauer, dështoi pa nisur punën. Boshllëku që lë Merkel duket që është mjaft i madh, ndërsa bota që po lë pas është mjaft e trazuar.
“Kancelaria e përjetshme” është e vendosur të tërhiqet përgjithmonë nga politika, edhe pse thirrjet ndaj saj janë të shumta që të marrë në dorë poste të rëndësishme të Bashkimit Europian.
“American Eye” sjell më poshtë 50 fakte nga jeta e gruas më të fuqishme në botë.
Karriera politike
1- E lindur në vitin 1954, e bija e një pastori protestant, Horst Kasner dhe e një mësueseje të gjuhës angleze, Herlind Kasner, Merkel u zhvendos nga Hamburgu në qytetin gjerman të Quitzow, (atëherë pjesë e Republikës Demokratike Gjermane RDGJ), kur ajo ishte shumë e vogël.
2- Më e madhja e tre fëmijëve, Merkel e kaloi fëmijërinë në seminar, atje ku punonte i ati i saj.
3- Gjatë viteve të shkollës, “Kasi”, një pseudonim i vendosur nga shokët e saj, u dallua si një studente e shkëlqyer e tërhequr pas gjuhës ruse dhe kulturës sovjetike.
4- Pasi përfundoi doktoraturën, në Berlin, Merkel punoi si kimiste kuantike në Akademinë e Shkencave, në Gjermaninë Lindore.
5- Ish-kolegët e saj e kanë përshkruar atë si të turpshme, të zellshme dhe gjithmonë e prirur për të kërkuar të dhëna të sigurta.
6- Në një biografi të autorizuar, të botuar në vitin 2013, Stefan Kornelius shkruan se Merkel zgjodhi të punonte si shkencëtare, sepse asaj i mungonte guximi për të shprehur hapur revoltën e saj kundër regjimit komunist.
8- Ndërsa, shumë të tjerë, besojnë se ajo zgjodhi me zgjuarsi një fushë e cila favorizohej nga komunistët.
9- Merkel ishte 35 vjeçe kur u rrëzua Muri i Berlinit.
10- Gjatë një incidenti që është konsideruar një stereotip për politikanen e tërhequr, Merkel shkoi si zakonisht në trajtimin e saj të përjavshëm në sauna me një mike, më 9 nëntor 1989, përpara se të bashkohej me turmat që ishin duke kaluar kufirin për në Berlinin Perëndimor.
11- Papritur, e liruar nga kontrolli i qeverisë komuniste dhe policisë sekrete të Stasi-t, Merkel u bashkua me zyrën e Berlinit, një partie të re në Gjermaninë Lindore, e quajtur “Zgjimi Demokratik” (Democratic Awakening), partia motër e të cilës ishte Unioni Kristiandemokrat (CDU).
12- Megjithëse, CDU-ja përkrahte disa nga vlerat e të djathtës konservatore të Merkelit, biografët e politikanes kanë spekuluar se zgjedhja e partisë mund të ketë qenë një reflektim i instinktit të saj për pushtet, në vend të ideologjisë së saj.
13- Menjëherë, ajo kërkoi të zhvillonte një takim me liderin e CDU-së, Helmut Kohl, i cili më vonë u bë edhe mentori i saj.
14- Brenda pak muajsh, Merkel u bë e njohur si “vajza e Kohlit” , duke u bërë pjesë e kabinetit të tij të parë, pas ribashkimit të Gjermanisë, si ministre e Rinisë dhe Gruas.
15- Në fillimet e karrierës së saj, Merkel u prezantua nga Kohl dhe shumë të tjerë si një risi në politikë, një politikane e Gjermanisë Lindore, e prirur për të patur sukses dhe gruaja e vetme, në klubin e burrave të CDU-së.
16- “Edhe kur ajo mund të dukej e çuditshme dhe e turpshme, mund ta kuptoje me të parën fuqinë e saj”, tha Herlinde Koelbl, një fotograf i cili e ka fotografuar Merkelin çdo vit, për një dekadë me rradhë.
17- Por, Merkel nuk hezitoi të braktiste mentorin e saj, në vitin 1999 mes një skandali financimesh të CDU-së. Në të vërtetë, ajo e zëvendësoi atë duke u shpallur liderja e re e partisë.
18- Një nga deklaratat e Merkelit, e botuar në gazetën gjermane liberale-konservatore të qendrës së djathtë, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), e themeluar në vitin 1949, u duk si një lloj letre divorci kushtuar Kohl, ku thuhej se CDU-ja duhej të ndahej nga lideri i saj në të njëjtën mënyrë siç duhet të distancohen adoleshentët nga prindërit, për t’u bërë të rritur.
19- Në vitin 2002, Stoiber politikisht, e mposhti lideren e CDU-së, Angela Merkel duke u zgjedhur kandidati i CDU / CSU për zyrën e kancelarit, dhe duke sfiduar Gerhard Schröder. Pas kësaj, masa zgjodhi në favor të Merkelit. Stoiber humbi votën kundrejt Gerhard Schroeder të SPD-së, qeveria e të cilit humbi pushtetin, tre vjet më vonë.
20- Dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 2005, Merkel u betua si kancelarja e parë grua, në Gjermani. Pjesa tjetër është histori.
Kuriozitete nga jeta personale
21- Merkel është martuar dy herë, martesa e saj në 1977-n me një student fizike përfundoi në 1982-shin, ndërsa bashkëshorti i dytë është një profesor i kimisë kuantike, Joachim Sauer.
22- Angela Merkel nuk ka fëmijë, por bashkëshorti i saj aktual ka dy djem të rritur nga një martesë e mëparshme.
23- Ajo është e njohur për mospëlqimin e qenve. Gjatë bisedimeve me Putin në vitin 2007, Presidenti rus solli një qen në dhomën e takimit. Merkel është shumë e frikësuar nga qentë. Disa sugjeruan se sjellja e qenit ishte bërë me qëllim për ta vënë në siklet kancelaren. Por ja si u përgjigj Merkel: “Unë e kuptoj pse e bëri ai këtë – për të treguar që është burrë. Ai është i frikësuar nga dobësitë e veta. Rusia nuk ka asgjë, as politikë e as ekonomi të suksesshme”.
24- Kur studionte, ishte e njohur për mësimin e menjëhershëm të gjuhëve të huaja, madje është vlerësuar me çmim për rusishten, ndoshta e trashëguar kjo aftësi nga nëna e saj që ishte mësuese gjuhe.
25- Kancelarja ka pranuar se ende ha ushqime të Gjermanisë Lindore, si supa Soljanka, e bërë me salsiçe dhe lëng turshi. “Ndoshta më ka mbetur zakon nga periudha komuniste, kur këtë supë e përdornim shpesh në Gjermaninë Lindore”, – është shprehur Merkel për revistat e huaja.
26- Veshjet e saj kanë një ngjyrë të ndryshme çdo herë, por stili është i njëjtë, xhaketë dhe pantallona.
27- Merkel është e njohur për ekspresionet e shumta të fytyrës.
28- Është e gjatë 165 centimetra.
29- Merkel thotë se është kuzhiniere shumë e aftë, bën tortë me kumbulla dhe shkon për pazar rregullisht në supermarket, ku paguan me para. Ajo i tha ish-presidentit nigerian, Goodluck Ebele Jonathan, se çdo mëngjes i përgatit bashkëshortit mëngjesin.
30- Ushqimi i preferuar është supë patatesh dhe eskallop.
31– Një ndër gjërat që i pëlqen shumë, janë ecjet e gjata në natyrë.
32- Nuk do të shkëputet nga jeta “normale”, nga gjërat që bëjnë njerëzit që nuk janë në pozitat e saj.
33- Merkel ndjek ndeshje futbolli të ekipit kombëtar të Gjermanisë dhe gjithashtu është pjesëtare e një klubi futbolli gjerman. Merkel i viziton shpesh dhomat e zhveshjes së ekipit gjerman pas ndeshjeve për t’u uruar fitoret. Një herë, pa Bastian Schweinsteiger lakuriq aksidentalisht.
34- Një nga ngjyrat që vesh me shpesh është bluja dhe nuancat e saj.
35- Kur del për të ecur me një veshje sportive i pëlqen të mbajë kapele.
36– Buzëkuqi i saj është gjithmonë në nuanca natyrale.
37- Nëse do të kishte mundësinë të zgjidhte se ku do të zgjohej në mëngjes, Angela Merkel do të zgjidhte Gjermaninë Lindore, vendin ku është rritur.
38- Gjërat që ajo i bën me siguri dhe ndihet mirë janë: ngjitja në mal, gatimi dhe e qeshura. Merkel i trembet vetëm një gjëje, të mbetet e pambrojtur në ndonjë stuhi.
39- Bashkëshortit të saj, Joachim Sauer, një profesor në Universitetin e Berlinit, nuk i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes, sa nuk u shfaq as në inagurimin e Merkelit si kancelare në vitin 2005. Ai preferon të udhëtojë me kompani ajrore me kosto të ulët, edhe në rastet kur mund të udhëtojë me Merkel.
40- Filmi i saj i preferuar është “Out of Africa”.
41- Si çdo gjerman tjetër, birra është ndër pijet e saj të preferuara.
42- Makinën e saj “Golf” e publikoi në “eBay” për ta shitur me një çmim që fillonte nga 10 000 euro.
43- Në vitin 1982 Angela Merkel u martua për herë të parë me studentin e fizikës Ulrich Merkel, me të cilin u divorcua pas pesë vitesh. Ajo vendosi të mbante mbiemrin e tij.
44- Në vitin 1998 – Merkel u martuar për herë të dytë me kimistin Joachim Sauer.
45- Babai i saj ishte një zyrtar në kishën Luterane. Ai u largua nga Gjermania Perëndimore në Gjermaninë Lindore të kontrolluar nga Sovjetikët, pak pasi lindi Angela, ndonëse mijëra të tjerë po zhvendoseshin në anën tjetër. Qëndrimi i disiplinuar dhe i kujdesshëm i Merkel ndaj politikës shpesh lidhet me edukimin e saj në Gjermaninë Lindore.
46- Përkrahësit gjermanë e quajnë Mutti, që do të thotë “Mami”.
47- Merkel punonte si banakiere në diskotekat ku bëheshin festat e kolegjit.
48- Angela Merkel ka një diplomë në Fizikë dhe një doktoraturë në Kimi Kuantike dhe thotë se suksesi si politikane vjen nga qasja e saj shkencore dhe analitike ndaj situatave. Ajo ka punuar si shkencëtare kërkimore, si e vetmja grua në seksionin e kimisë teorike në Akademinë e Shkencave të Gjermanisë Lindore.
49- Kur Merkel u divorcua nga bashkëshorti i parë (1982), jetoi në një apartament të paligjshëm pranë stacionit të trenit në Friedrichstrasse. Në ditëlindjen e 30-të, i ati i shkoi për vizitë duke i thënë: “S’ia ke dalë mbanë”.
50- Në fund të viteve 1970, Merkel aplikoi për të punuar si asistente në një shkollë inxhinierike dhe iu kërkua të bashkohej me Stasi (policia sekrete e Gjermanisë Lindore.) Ajo thotë se nuk pranoi, duke pretenduar se do të bëhej spiune. Sikur ta kishte pranuar, karriera e ardhshme në politikën gjermane do të ishte e pamundur, sipas një analize në Bloomberg BusinessWeek. Shumë politikanë janë detyruar të japin dorëheqjen për shkak të së kaluarës në Stasi.