Joe Biden po përgatitet të marrë në dorë fatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe nga ditët e para të presidencës mendohet se do të zhbëjë disa nga ligjet dhe urdhrat ekzekutive të miratuara gjatë administratës Trump.
Sipas mediave amerikane, një nga vendimet e para do të jetë miratimi i ligjit që ndryshon rrënjësisht rrugëtimin për marrjen e nënshtetësisë në SHBA.
Sipas draftit, që pritet të miratohet, jo pa kundërshtime të forta në Senatin tejet të ekuilibruar midis demokratëve dhe republikanëve, do të ndërtohet një proces 8-vjecar që do t’i mundësojë nënshtetësinë të gjithë personave që jetojnë ilegalisht në territorin amerikan, me limit 1 janarin e këtij viti.
Më në detaj, procedura parashikon një 5-vjeçar që do t’i mundësojë atyre marrjen e lejes së qëndrimit të përhershme, ose “green card”, atëherë kur të jenë kaluar disa kërkesa si pagesa e taksave, mospërfshirja në krime penale etj.
Më pas, një hap i dytë tri-vjeçar do të çojë gradualisht në lëshimin e pasaportës aq të ëndërruar nga miliona persona, që shpesh herë prej dekadash jetojnë aty. Të ashtuquajturit Dreamers, ilegalët që praktikisht janë rritur qysh fëmijë në vend, shpesh herë duke arritur edhe një shkollim të mirë, do të kenë një prioritet në dhënien e dokumenteve.
Një nga vendimet e tjera që priten nga Biden është fundi i bllokimit të ardhjeve nga një listë vendesh, kryesisht myslimane.