E pabesueshmja ka ndodhur. Përfaqësuesja Shpresa e Shqipërisë do të jetë sërish kundërshtare me skuadrën e 21-vjeçarëve të Kosovës, edhe gjatë kualifikueseve të Europianit 2023.
Shorti i hedhur nga UEFA vendosi që kuqezinjtë dhe “dardanët” ta gjejnë përsëri njëri-tjetrin në grupet eliminatore, ashtu siç ndodhi edhe gjatë edicionit të kaluar. Shqipëria e drejtuar nga Alban Bushi i fitoi të dyja përballjet e luajtura në vitin 2020, me rezultatet 2-1 në Elbasan Arena dhe 1-0 në Prishtinë.
Me atë ecuri, kuqezinjtë e mbyllën grupin në vendin e tretë, me 14 pikë në dhjetë ndeshje, duke lënë pas edhe Turqinë, ndërsa Kosova u pozicionua e pesta me 9 pikë. Çudia vazhdon edhe me faktin se Shqipëria e Kosova gjejnë në rrugën e tyre edhe dy skuadra të tjera, me të cilat u ndeshën gjatë eliminatoreve të kaluara.
Ato janë Anglia, e cila fitoi grupin dhe mbetet sërish favorite, por edhe Andorrën, ekipin e vendit të fundit. Kundërshtarë të tjerë në kualifikueset e Europianit të vitit 2023 do të jenë edhe Republika Çeke dhe Sllovenia.
53 skuadra do të konkurrojnë, për të siguruar një vend në fazën finale të turneut, që do të organizohet nga Gjeorgjia dhe Rumania. Përballjet në fazën eliminatore do të nisin prej muajit mars 2021 deri në qershor të vitit 2022, ndërsa ndeshjet e fazës “play-off” do të luhen në shtator të vitit 2022.