Politika Basha: Unë si kryeministër, do i jap zgjidhje halleve tuaja!

Basha: Unë si kryeministër, do i jap zgjidhje halleve tuaja!

Pas takimit elektoral në Kavajë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka vijuar me një takim tjetër në qytetin e Durrësit. Nga Durrësi, ai sërish ka lëshuar akuza të forta në drejtim të kryeministrit Rama, ku sërish ka vënë theksin që kryeministri nuk pranon debatin me të.

“Ka një javë që bën koncert variete, me batuta, me çitjane. Nuk jep llogari dhe nuk bën bilanc. Ulet mes sheshit, këndon, bërtet, fishkëllen por nuk jep llogari. A do e durojmë edhe 3 javë me koncertin variete. Është gati të bëjë dhe vertikalen në mes të Durrësit vetëm që të mos ta pyesni ku janë vendet e punës që premtoi, ku janë taksat e ulura. Kjo është arsyeja që nuk pranon as debatin televiziv. Mos harroni 300 mijë vendet e punës që premtoi mos harroni krimin, drogën, pasigurinë. Bëhuni gati t’i jepni forcë bashkimit të gjithë Shqipërisë. A ua ka borxh durrsakëve debatin me kryetarin e opozitës, a ua ka borxh qytetarëve. Edi Rama e dëgjon këtë zë por ka frikë të përballet me të vërtetat”, tha Basha.

Ai gjithashtu, ka premtuar se ditën që do të zgjidhet kryeministër do t’i japë fund halleve të shqiptarëve.

“Bëhuni gati t’i jepni forcë vendimit të madh që kemi marrë së bashku. E ka marrë Shqipëria, e ka marrë Kavaja, po Durrësi e ka marrë vendimin? Durrësi e ka marrë vendimin për Republikën e Re, për ekonominë e fortë. Për një kryeministër jo të tutave të çitjaneve, jo të qejfeve. Unë premtoj se do jem kryeministër juaj, i punëve tuaja, i halleve tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Vendime të vështira na presin, për ta kthyer rrotën e ekonomisë. Jam gati të marr këto vendime, ndër të para ulja e TVSH-së, ulja e taksës së biznesit të vogël”, tha Basha.