Kreu i PD-së, Lulzim Basha nga hapja e fushatës në Berat dhe prezantimin e kandidatëve atje, teksa kërkoi votën për atë që cilësoi si lëvizjen më të madhe popullore, për bashkimin e paprecedentë të opozitës në siglën e PD, i ka dhënë përgjigje edhe kritikëve të tij për çështjen e listës së kandidatëve për deputetë.
“Para dy ditësh më është dashur të marr të tjera vendime të vështira por të domosdoshme për ekipin fitues të Republikës së re, ishte koha për t’i marrë, unë i kam marrë dhe nuk i heq as presjen, një ekip i ri me frymëzim të ri për republikën e re ku do ta gjejë veten çdo shqiptar”, tha Basha me një gjuhë të moderuar.
Basha i ka bërë thirrje beratasve dhe gjithë shqiptarëve të marrin vendimin e duhur në 25 qershor.
“Merrni vendimin tuaj, bashkohuni me projektin e lëvizjes popullore, për të mos ua lënë beratin dallkaukëve, mashtruesve, hajdutëve që ju shtrydhën e ju vodhën, me 25 qershor merrni beratin në dorë me votën tuaj dhe unë do marr vendimet e mia për mirëqenien tuaj, ekonominë e fortë, për secilin prej jush”, tha ai.
Ai ka shpalosur programin e tij ekonomik, i cili do garantojë punësim dhe mirëqenie për shqiptarët.
“Plani im ekonomik ka vulën e ekspertëve të Angela Merkel. Lekët do të rikthehen mes zinxhirit ekonomik në xhepat e sipërmarrësve, investitorëve, të punësuarve, pra qytetarëve. Unë do të investoj fuqishëm te bujqësia, fermerët do ndjejnë ndihmën e shtetit. Berati do ta ketë përsëri universitetin e tij, 10 mijë të rinj në republikën e re do të ketë stazhin me 200 mijë lekë të vjetra pagesë në muaj për një vit, kjo është ura që do ndërtoj unë, nuk kam gjë me urën e varur, por ajo që do ndërtoj unë nuk do të jetë fasadë. Hapja e vendeve të punës, e fabrikave në Berat, në të gjithë vendin me investime vendase e të huaja”, tha Basha.