Episodi i dyshuar i një afere korruptive në spitalin “Nënë Tereza” nuk është i vetmi problem me drejtësinë i mjekut kardiokirurg, Edvin Prifti, i cili u arrestua në sallën e gjyqit, të shtunën.
Prokuroria e kryeqytetit është duke hetuar për një kallëzim të Qendrës Spitalore Universitare lidhur me Priftin. Në kallëzim Drejtoria e QSUT i referohet ankesës së një qytetareje përmes rrjeteve sociale, që pretendon se zotëron një bisedë audio, ku mjeku Prifti orienton një pacient drejt spitalit privat. Për këtë shkak, drejtoria e QSUT i ka kërkuar prokurorisë verifikim të rastit.
Njëkohësisht, Prokuroria po heton edhe një kallëzim për “mjekim të pakujdesshëm” kundër mjekut Prifti nga familjari i një pacienti që ka ndërruar jetë pas operacionit.
Kardiokirurgu Edvin Prifti u pezullua nga detyra javën e kaluar me kërkesë të SPAK. Prokuroria e Posaçme po hetonte një skemë korrupsioni në gjykatën e Krujës, kur përgjoi sekretaren gjyqësore Manuela Mallkuçi, teksa fliste për dhënien e një shumë monetare mjekut të QSUT, me qëllim operimin e nënës së saj.
Kontrolli në banesën e mjekut zbuloi një shumë prej gati 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë, çka u bë shkak për shtimin e akuzës së “pastrimit të parave”, akuzë që i kushtoi edhe një masë sigurie “arrest në burg”.