OKB paralajmëron ushtrinë dhe policinë e Mjanmarit se do të përballet me pasoja të rënda për çdo sulm të dhunshëm ndaj popullsisë civile, gjatë protestave që prej javësh po mbahen atje.
Junta ushtarake bllokon vazhdimisht internetin, për të mos lejuar thirrjet për protesta, që vijojnë prej 1 shkurtit.
“Sekretari përgjithshëm është shumë i shqetësuar për situatën në vend, përfshirë edhe rritjen e përdorimit të dhunës dhe dislokimin e automjeteve të ushtrisë në qytetet kryesore. OKB i bën thirrje ushtrisë dhe policisë së Mianmarit që të sigurojnë që e drejta e tubimit paqësor të respektohet dhe ndaj demonstruesve të mos përdoret raprezalje. Raportimet për dhunë, intimidim dhe ngacmim nga ana e personelit të sigurisë janë të papranueshme. Arrestimet e liderëve politikë, zyrtarëve të qeverisë, aktorëve të shoqërisë civile apo përfaqësuesve të mediave, janë shumë shqetësuese, e po ashtu edhe bllokimi i aksesit në internet apo shërbimet e tjera të komunikimit. OKB shprehe dhe njëherë mbështetjen për popullin e Mianmarit dhe përpjekjet e tyre për demokraci, paqe, për respektim të të drejtave të njeriut dhe ligjit”, u shpreh zëdhënësi i kreut të OKB-së.
Por më shumë se kaq, OKB paralajmëron me veprime konkrete, nëse dhuna përshkallëzohet.
“Bota po ju vëzhgon nga afër dhe çdo përgjigje e rëndë nga ana juaj, do të ketë pasoja vërtet të rënda”.
Edhe kjo javë ka nisur me protesta në qytetet më të mëdha si Yangon dhe Mandalay. Bashkë me protestuesit, në rrugë, për të dhënë shembullin e protestave paqësore, kanë zbritur edhe murgjit. Por ushtria njoftoi penalitete për personelin ushtarak dhe forcat e sigurisë, që kundërshtojnë urdhrat e liderëve të tyre dhe për këtë mund të përballen me dënim deri në 20 vjet burg ndërsa ata që nxisin manifestime publike rrezikojnë 3 deri në 7 vjet burg.