Politika Përkeqësimi i pandemisë, Meta: Kriminale që të bësh sehir

Përkeqësimi i pandemisë, Meta: Kriminale që të bësh sehir

Presidenti Ilir Meta i bën thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të marrin masa të menjëhershme për shëndetin e qytetarëve, duke parë përkeqësimin e situatës së pandemisë në vend.

Në një reagim në Facebook, kreu i shtetit thotë se teksa rastet po shtohen dhe numri i viktimave po rritet, është “kriminale që të bësh sehir”.

“Në kushtet kur situata pandemike po rëndohet ndjeshëm, është kriminale të bëhet sehir dhe rastet e shtuara të infektimeve e humbjet e jetëve të trajtohen si statistikë. Vetëm sot janë regjistruar 18 viktima dhe sipas të raportimeve nga terreni, çdo 13 minuta një autoambulancë mbërrin në Spitalin Infektiv COVID-1. Nuk ka asnjë plan konkret për vaksinimin e popullatës, asnjë kusht të përmirësuar në spitale, asnjë masë efektive për parandalimin e përhapjes së pandemisë në popullatë. Situata po shkon drejt një katastrofe kombëtare, që duhet parandaluar pa humbur më kohë. Çdo ditë, që kalon, do të thotë më shumë pasoja për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, mbrojtja e të cilëve duhet të jetë prioriteti ynë absolut. Propagandë duke luajtur me jetët e shqiptarëve nuk mund të ketë dhe nuk do lejohet të ndodhë”.

Presidenti kërkon që të ndryshohet strategjia anti-Covid, dhe thotë se masat e kufizimeve nuk po japin asnjë rezultat. Ndërsa apelon edhe qytetarët që të respektojnë rregullat kundër pandemisë dhe të jenë vigjilentë.

“I bëj thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që sot, të reflektojnë dhe të kthejnë fokusin vetëm nga qytetarët. Është emergjente ndryshimi rrënjësor i strategjisë antiCOVID pasi masat dhe kufizimet e marra derimë tani nuk po sjellin asnjë rezultat. Nevojitet një strategji e re, gjithëpërshirëse dhe e ndërtuar mbi këshillat e specialistëve më të mirë epidemiologë, virologë e imunologë brenda dhe jashtë vendit. Shpenzimet publike për vaksinimin, trajtimin, testimin dhe gjurmimin, për furnizimin me barna të qendrave spitalore dhe të shërbimit reanimator me pajisje jetëshpëtuese, janë tani më të rëndësishme se kurrë. Për këtë arsye, politika fiskale duhet të jetë mbështetëse dhe fleksible derisa të sigurohet një dalje e sigurtë dhe e qëndrueshme nga kriza. Përsëris apelin, drejtuar çdo shqiptari, për të mos e ulur vigjilencën dhe vijuar zbatimin me rigorozitet të rregullave antiCOVID”.

Gjatë 24 orëve të fundit, sipas raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, 18 pacientë kanë humbur jetën nga Covid-19 dhe 1075 persona të tjerë janë infektuar.