Kryesore Rama: Meta nuk është më President, lëviz fshehurazi me makinë në Vlorë

Rama: Meta nuk është më President, lëviz fshehurazi me makinë në Vlorë

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar Presidentin Ilir Meta se ka shpërdoruar postin në krye të shtetit për të shërbyer në favor të LSI-së. Gjatë vizitës në Vlorë ku ndodhej për të parë nisjen e procesit të vaksinimit, Rama tha se Meta ka shkuar në këtë qytet “natën me makina pa protokollin përkatës”.

Sipas kreut të qeverisë, Meta e ka kuptuar që zgjedhjet kanë për të qenë një katastrofë për LSI-në.

“Presidenti ka kohë që s’është më President. Është thjesht një shpërdorues i funksionit të Presidentit në favor të ndërmarrjes që administrohet formalisht nga e shoqja. E mirëkuptoj sepse vjen në Vlorë natën fshehurazi shkon lart e poshtë natën. Shfaqet me makina pa as protokollin përkatës. Takon njerëz po mesa duket jo aq shumë dhe i duket e zbrazur komplet Shqipëria sepse shumë pak njerëz tanimë besojnë tek LSI-ja. Në këto kushte duhet ta mirëkuptoni të gjithë se i duket si një katastrofë sepse në fakt sipas të gjitha gjasave zgjedhjet do të jenë një katastrofë për LSI-në”, tha Rama.