Aktualitet Nis vaksinimi edhe në Vlorë. Rama: Brenda Marsit vijnë 40 mijë dozat...

Nis vaksinimi edhe në Vlorë. Rama: Brenda Marsit vijnë 40 mijë dozat e Pfizer

Pas Tiranës e Shkodrës, radha i erdhi Vlorës. Në qytetin bregdetar ka nisur këtë të enjte procesi i vaksinimit për bluzat e bardha në Shqipërinë jugore.

Në nisje të procesit të vaksinimit, që do të zhvillohet në ambientet e pallatit të sportit, ka qenë prezent edhe Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit bëri me dije se në Vlorë kanë shkuar 200 doza vaksine për bluzat e bardha.

Krahas vaksinimit të mjekëve e infermierëve të spitalit rajonal, pritet që aty të marrin dozat e injeksionit edhe punonjësit e spitalit të Sarandës. Manastirliu u shpreh se për shkak të largësisë po mendohet hapja e një pike vaksinimi edhe në Gjirokastër. Manastirliu u shpreh se vetëm gjatë dy ditëve të para të kësaj jave janë vaksinuar më shumë se 600 mjekë dhe infermierë.

E pranishme në ambientet e pallatit të sportit ishte edhe shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino. Ajo tregoi se deri më tani nuk është humbur asnjë dozë, ndërsa theksoi se në ditët në vijim do të nisë vaksinimi në Fier.

Po ashtu u mësua se këtë të enjte vetë Bino do të merrte dozën e vaksinës dhe se kishte zgjedhur Vlorën për ta bërë këtë. Ajo tregoi se kanë qenë shumë të paktë mjekët dhe infermierët që kanë refuzuar vaksinën.

Rama: Brenda Marsit vijnë 40 mijë dozat e Pfizer

Në një prononcim për gazetarët, kryeministri Rama tha se procesi do të shtrihet intensivisht ditë për ditë, duke nisur me mjekë e infermierë për të vijuar tek të moshuarit.

“Do shtrihet intensivisht ditë për ditë, në gjithë rrjetin e mjekëve dhe infermierëve dhe shumë shpejt të gjithë do të jenë të vaksinuar. Po ashtu do të mbarojë shumë shpejt edhe për të moshuar, në shtëpitë e të moshuarve. Ditën e diel do të vazhdojmë me disa personalitet 80 e lart që do të vaksinohen për të filluar me këtë kategori”.

Rama tha gjithashtu se brenda muajit Marsit pritet të vijnë 40 mijë dozat e Pfizer.

“Ndërkohë vazhdojmë përpjekjen për të siguruar sasi të konsiderueshme vaksinash në vijim. Ndërkohë që brenda muajin Mars do të kemi 40 mijë dozat e Pfizer”.