Për një skuadër që aspiron të jetë në majë dhe ka në sulm Cristiano Ronaldon, fitorja në ndeshjen e parë të 1/8 finale nuk duhej të ishte problem, të paktën në letër. Megjithatë, Juventusi është një përjashtim në këtë kuptim. Raundi i parë në fazën e “nokautit” për bardhezinjtë po kthehet në makth.
Humbja ndaj Portos ishte një film, që është parë tashmë. Një vit më parë, kundër Lyon, ekipi i drejtuar nga Maurizio Sarri humbi minimalisht. Pastaj u eliminua në ndeshjen e kthimit. Dy vite më parë, kundër Atlético Madrid, ekipi i Max Allegri u shemb në ndeshjen e parë 1/8 finale, pastaj duhej të rikuperonte në kthim me “hat-trick” historik të CR7.
Edhe tri vite më parë, kur bardhezinjtë e luajtën ndeshjen e parë të këtij raundi në shtëpi (kishin përfunduar të dytët në grup), asnjë fitore nuk erdhi. Sigurisht që nuk ishte as një humbje, por ndeshja 2-2 në shtëpi kundër Tottenham la pasoja të rëndësishme dhe një situatë shqetësuese. Para se Dybala dhe Higuain të ndiznin “Wembley”, duke e ndryshuar fatin e kualifikimit tri javë më vonë.
Pas 90 minutash nga 180 në total, Juventusi ka qenë gjithmonë në situata që nuk janë të lehta për t’u menaxhuar. Si në 1/8 finale, ashtu edhe më tej. Në vitin 2018, Real Madridi e dominoi ndeshjen e parë në “Allianz Stadium” duke fituar 0-3. Një vit më vonë, në “Amsterdam Arena”, Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës nuk ishin në gjendje të kalonin përtej barazimit 1-1 me Ajax. Në të dyja rastet, megjithë përpjekjet për të përmbysur gjithçka (veçanërisht e afërt ishte kjo në “Bernabeu”), kualifikimi nuk arriti.
Për të ditur se çfarë do të ndodhë në ndeshjen e kthimit kundër Portos është padyshim shumë herët, por edhe një herë Juventusi tregoi vështirësi të pazakonta në ndeshjen e parë nga dy të tilla. Edhe këtë herë, “Zonja e Vjetër” është e thirrur për përmbysje. Suksesi i fundit në një ndeshje të parë të një raundi të tillë të dyfishtë të Ligës së Kampionëve mbetet ai i Monte Carlo, në gjysmëfinalen e vitit 2017 me Monaco.
Në atë edicion, Chiellini dhe shokët e tij të skuadrës i fituan të gjitha ndeshjet e para, pastaj arritën në finale, ku u mbytën nga Real Madridi i CR7. Duket sikur një përjetësi ka kaluar. Që atëherë, Juventusi kurrë nuk ka arritur të fitojë një ndeshje të parë në Champions, në raundet me eliminim direkt.