Bota Një e treta e ushtarëve amerikanë nuk duan të vaksinohen

Një e treta e ushtarëve amerikanë nuk duan të vaksinohen

Drejtuesit e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA thonë se një e treta e forcave të armatosura refuzojnë të marrin vaksinën COVID-19, pavarësisht shkallës së lartë të infeksionit dhe pjesëmarrjes së tyre në fushatën e vaksinimit të popullsisë.

Gjenerali Jeff Taliaferro zbuloi këtë informacion në lidhje me shkallën e lartë të refuzimit në seancën dëgjimore në Kongres, në një kohë kur Pentagoni ende beson se ushtarët e tij mund të vendosin lirisht nëse do të vaksinohen kundër COVID-19.

“Shkalla e pranimit është rreth dy të tretat”, tha ai, duke theksuar se numri bazohet në “të dhëna fillestare”, raporton AFP.

Zëdhënësi i Pentagonit John Kirby tha se nuk kishte të dhëna gjithëpërfshirëse të vaksinimit për forcat e armatosura si një e tërë, por që 915,500 njerëz ishin vaksinuar deri më tani.

Nuk ka detyrim për të vaksinuar

Shkalla e refuzimit është disi e ngjashme me normën në popullatën e përgjithshme, shtoi Kirby.

Qeveria ka rekrutuar anëtarë të forcave të armatosura dhe Gardës Kombëtare për të forcuar kontigjentet e saj që marrin pjesë në një fushatë vaksinimi mbarëkombëtare.

Pentagoni kërkon që ushtarët të marrin shumicën e vaksinave standarde.

Por në SHBA, vaksinat kundër COVID-19 që janë aktualisht në përdorim aprovohen sipas procedurës së shpejtë të Agjencisë Amerikane të Zbatimit të Barnave, kështu që ushtria nuk mund të detyrohet të vaksinohet, tha Kirby.

“Ekziston një kufizim i vërtetë ligjor për ta bërë (vaksinimin) të detyrueshëm për ushtarët dhe familjet e tyre”, shtoi ai.