Barcelona dështon të përfitojë nga hapat fals të Atleticos së Madridit dhe të rikthehet në garë për titullin kampion, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 ndaj Cadizit në “Camp Nou” vetëm pak ditë pas disfatës ndaj PSG-së.
Lionel Messi ishte më i lëvizshmi për katalanët dhe provoi disa herë të gjejë golin e avantazhit.
Në minutën e 26’ arbitri akordoi një penallti për Barcelonën, por pas sinjalizimit të VAR, shkoi të rishikojë aksionin dhe vendosi anulimin e saj, duke lënë të pakënaqur futbollistët katalanas. Megjithatë vetëm 5 minuta më vonë arbitri akordoi sërish penallti për Barcelonën, këtë herë pas një faulli të mbrojtësit të Cadiz në zonë, ndërsa nga pika e 11-metërshit shkoi kapiteni Lionel Messi, që ekzekutoi saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Skuadra e Barcelonës vijoi të tregojë superioritet në fushë, duke kontrolluar topin përreth 80% të kohës dhe duke krijuar disa mundësi të tjera dyfishimi, por pa ia dalë të dërgojnë sërish topin në rrjetë.
E kur dukej se gjithçka do të mbyllej me një fitore minimale, arbitri akordoi një penallti për Cadiz, pas një faulli në zonë nga ana e francezit Lenglet. Nga pika e 11-metërshit shkoi Aleix Fernandez, që gjuajti saktë dhe shënoi golin e barazimit.
Me barazimin e sotëm Barcelona mbetet në vendin e tretë me 47 pikë dhe del thuajse plotësisht jashtë garës për titullin kampion, teksa është me një këmbë jashtë edhe në Ligën e Kampionëve e Kupën e Mbretit.