Dan Price, drejtori ekzekutiv i Gravity Payments – një kompani e kartave të kreditit dhe shërbimeve financiare – është i mendimit se filantropitë e miliarderëve janë “një nga mashtrimet më të mëdha të kapitalizmit”.
Price tha për MarketWatch se miliarderi mesatar dhuron një pjesë më të vogël të parave për bamirësi çdo vit sesa mesatarja e jo-miliarderit.
Si dëshmi, Price citoi një renditje të fundit të kontributeve më të mëdha të bamirësisë të vitit 2020, e cila përfshinte donatorë si Jeff Bezos. Kritikët e pabarazisë në pasuri kanë theksuar se miliarderët janë pasuruar akoma më shumë gjatë pandemisë, por kontributet që kanë dhënë për bamirësi përfaqësojnë një pjesë të vogël të pasurisë së tyre në rritje.
Price u nxit për të diskutuar këtë çështje pasi Uashingtoni po propozon të krijojë taksën e parë shtetërore për njerëzit, pasuria neto e të cilëve është mbi 1 miliard dollarë. Price tha një nga kritikat më të shpeshta që ka dëgjuar për propozimin është se “miliarderët nuk kanë nevojë të paguajnë taksa sepse ata dhurojnë për bamirësi“.
“Në realitet, shuma që ata dhurojnë është një pjesë e asaj që ata do të paguanin nëse normat e tyre të taksave do të ishin në përputhje me klasën punëtore”, tha ai.
Miliarderët paguajnë nivelin më të ulët të taksave, shtoi Price. Në shtetin e Uashingtonit, më të pasurit paguajnë 3% të të ardhurave të tyre për taksa, ndërsa të jo të pasurit paguajnë 18%, tha ai.
Bezos ishte donatori numër 1 i vitit 2020, sipas Kronikës së Filantropisë. Ai premtoi 10 miliardë dollarë për të krijuar Fondin e Tokës, por vetëm një pjesë e këtyre parave shkuan për bamirësi vitin e kaluar. Fondi shpërndau 791 milionë dollarë grante për grupe mjedisore në vitin 2020. Bezos dhuroi gjithashtu 100 milionë dollarë për Feeding America, një rrjet që shpërndan ushqim.
Ndërkohë, vlera neto e Bezos arriti në rreth 188 miliardë dollarë deri në nëntor 2020. Duke përdorur këto shifra – të cilat kanë qenë në rritje – Bezos dha rreth 0.47% të vlerës së tij neto në vitin 2020.
Dan Price fitoi vëmendje në vitin 2015 pasi njoftoi se do të paguante çdo punonjës në kompaninë e tij minimumi 70,000 dollarë në vit.
Price nuk mendon se “bota ka nevojë për një filantrop miliarder”, sepse është krijuar një sistem që nuk është i drejtë. Ai shtoi se më shumë dëshiron një sistem me “drejtësi dhe integritet” dhe kompani që kujdesen për punëtorët e tyre.