Disa javë më parë, shkaktuan indinjatën e gjithë komunitetit shkencor britanik fjalët e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili ndoshta pa menduar deklaroi se vaksina e AstraZeneca në bashkëpunim me universitetin e Oksfordit ishte “pothuajse joefektive”.
Por një studim i autoriteteve shëndetësore skoceze, i mbështetur në më shumë se 1 milion vaksinime të kryera nga dhjetori deri më 14 shkurt, duket se jo vetëm përgënjeshtron batutën e presidentit francez, por e përmbys edhe të dhënat e njohura që e krahasojnë me vaksinat e tjera.
Sipas studimit, AstraZeneca ka reduktuar me 94% shtrimet në spital tek të vaksinuarit pas dozës së parë, një statistikë kjo përtej pritshmërive të vetë krijuesve të vaksinës, dhe që tejkalon edhe të dhënat e vaksinës më të përdorur deri më tani, ajo e Pfizer. Më në detaj, nga më shumë se 1 milion të vaksinuar, vetëm 8 mijë janë dërguar në spital. Statistikat ulen disi kur flitet për pacientët mbi 80 vjeç, por mbetet gjithsesi te 80% i rasteve.
Vaksina amerikane, sipas të dhënave të studimit, ka patur 84% të reduktimit ë shtimeve, edhe pse ka një mbrojtje imunitare më të madhe, 95% pas dy dozave. Ky është një nga studimet e para të efikacitetit praktik të vaksinave, dhe përbën lajm të shkëlqyer dhe shpresëdhënës në luftën kundër pandemisë që ka mbërthyer botën nga viti i kaluar.