Shpresat për kthimin e jetës në normalitet janë varur tek vaksina kundër COVID-19 por edhe tek testimi dhe identifikimi i rasteve të reja. Disa studiues francezë kanë zbuluar një mënyrë të lehtë të zbulimit nëse një person ka ose jo koronavirus. Testi, që ende nuk është miratuar, bëhet nga vetë pacientët në kushte shtëpie me një pajisje të vogël dhe një telefon. Rezultati merret brenda pak minutash.
Studiues francezë po përdorin grimca të vogla të antitrupave të nxjerra nga kafshë si deve dhe lama, për prodhimin e një testi që ata thonë se mund të zbulojë me shpejtësi dhe saktësi nëse dikush është prekur nga COVID-19.
“Që nga marsi po mundohemi të krijojmë një pajisje të përshtatshme që mund të përdoret në shtëpi që ndihmon në zbulimin nëse jeni pozitiv ose negativ për COVID”, thotë Sabine Szunerits nga Universiteti i Lilës.
Testi i quajtur CorDial-1, ende nuk është miratuar për përdorim, por provat fillestare me 300 mostra treguan 90 për qind saktësi krahasuar me testin ekzistues të Covidit, që për momentin është metoda më e besueshme për identifikimin e virusit.
Ky test ofron rezultatin brenda 10 minutash dhe sipas ekipit që e krijoi atë mund të bëhet jashtë laboratorit ndryshe nga testi ekzistues që kërkon orë të tëra dhe kushte laboratorike.
Për momentin ekzistojnë teste të shpejta të COVID-19, por disa shkencëtarë kanë ngritur dyshime mbi besueshmërinë e tyre.
Testi CorDial-1 përdor disa antitrupa që quhen nanotrupa, të cilët merren nga një grup që përfshin deve, lama dhe alpaka, sepse janë më të qëndrueshme krahasuar me antitrupat e krijesave tjera.
Sa i përket testimit për COVID-19, nanotrupat futen në sipërfaqen e një elektrode. Pasi antitrupat bien në kontakt me proteinën e koronavirusit, ato bashkëveprojnë duke ndryshuar elektricitetin në elektrodë.
Kur aparati testimi, që ka madhësinë e një USB-je, lidhet me telefonin dhe e jep rezultatin në ekran.
“Dikush duhet të marrë mostrën nga ju përmes tamponit në hundë, dhe vendoset drejt në elektrodën e lidhur me telefonin. Pas 10 minutash ktheheni, elektroda me mostrën zhytet në një agjent kimik, dhe në telefon shfaqet një kurbë. Në varësi të lartësisë së grafikës ju e kuptoni nëse jeni pozitiv ose negativ për COVID”, thotë Sabine Szunerits nga Universiteti i Lilës, e cila është duke punuar në projektin me shkencëtarë të Universitetit të Marseit dhe Shkencëtarët Hulumtues nga Qendra Kombëtare e Francës.
Faza tjetër e projektit është testimi tre mujor i pajisjes në më shumë se 1 mijë njerëz. Krijuesit e tij thonë se testi nuk zbulon vetëm infektimin me COVID-19.
“Jo vetëm që mund të përdoret për zbulimin e Covdit, por gjithashtu mund të përshtatet me çdo analizë tjetër, qoftë edhe për infeksione bakteriale. Kjo është shumë e thjeshtë. merrni këtë sensor të vogël. Duhen ndryshuar vetëm agjentët kimikë, pjesa tjetër është e njëjtë“, thotë Rabah Boukherroub, hulumtues në Universitetin e Lilës.
Christophe Demaille, studiuesi kryesor i elektrokimisë molekulare në Universitetin e Parisit, i cili nuk është i përfshirë në projekt, thotë se testet që mbështeten në sinjalet elektrike janë shumë të përshtatshme. “Unë kam besim se do të jetë i përdorshëm kudo“, thotë ai./VOA