Cody Cottier – Discover Magazine
Teoria e Relativitetit të Përgjithshëm, sipas së cilës hapësira mund të lakohet, lejon që Universi të marrë njërën nga 3 format: e sheshtë si një fletë letre, e mbyllur si një sferë, apo e hapur si një shalë kuajsh. Kjo gjeometri astronomike nuk është çështje e parëndësishme, pasi prej saj varet fati i kozmosit.
Siç thotë kozmologu i Universitetit të Princeton David Spergel, “forma e universit na tregon mbi të kaluarën dhe të ardhmen e saj”. “Nëse universi do të zgjerohet përgjithmonë apo përfundimisht do të shkatërrohet, dhe nëse është i fundmë apo i pafundmë, që të gjitha këto janë pyetje që lidhen me formën e tij”, thekson ai.
Për një çështje që mbart pyetje kaq të mëdha, përbërësit e saj janë jashtëzakonisht të thjeshtë. Struktura përfundimtare e Universit varet vetëm nga dy faktorë: dendësia dhe shpejtësia e zgjerimit. Afro 68 për qind e Universit është energji e errët, dhe 27 për qind është lëndë e errët.
Pjesa e mbetur është lëndë normale, ku futen planetët, yjet dhe trupat e tjerë qiellorë. Dendësia e Universit, ka të bëjë me faktin sesa kjo lëndë është e paketuar në një vëllim të caktuar hapësire. Nëse dendësia e Universit është mjaftueshëm e madhe që graviteti i saj të kapërcejë forcën e zgjerimit, atëherë Universi do të shndërrohet në një top.
Ky njihet si modeli i mbyllur, me një lakim pozitiv që i ngjan një sfere. Një veti shqetësuese e këtij Universi është se ai është i fundmë, e megjithatë nuk ka kufij. Nga ana tjetër, nëse dendësia e Universit është e ulët, dhe nuk është në gjendje ta ndalojë zgjerimin, hapësira do të shpërbëhet në drejtimin e kundërt.
Kjo do të formonte një Univers të hapur me lakim negativ që i ngjan një shale kuajsh. Për Universin ekziston edhe një skenar “Goldilocks”, për të cilin shkencëtarët thonë se është më i besueshmi.
Shumica e provave kozmologjike, tregojnë se dendësia e Universit është ekuivalenti i rreth gjashtë protoneve për 1.3 jardë kub, dhe se ai zgjerohet në çdo drejtim pa u lakuar pozitivisht apo negativisht. Pra, Universi është i rrafshët. Por çfarë do të thotë kjo?
Kjo rrafshësi nuk është lloji 2-dimensional që hasim shpesh në jetën e përditshme, por mund ta imagjinoni përmes disa analogjive. Imagjinoni sikur po qëndroni në cepin e një dhome katrore. Ecni 10 hapa përgjatë murit në këndin tjetër, pastaj kthehuni 90 gradë.
Ecni edhe 10 hapa të tjerë, dhe kthehuni sërish 90 gradë. Bëjeni 2 herë këtë gjë, dhe do të gjendeni sërish aty ku nisët, pra keni bërë një rreth të plotë. Kjo është gjeometria standarde euklidiane që kemi mësuar të gjithë në shkollën e mesme, dhe nëse shtoni një dimension më shumë, ju do të keni një Univers të sheshtë.
Të dhënat më të mira për formën e universit gjenden në sfondin e mikrovalëve kozmike (CMB), nga rrezatimi i Big Bengut që rrezaton drejt nesh nga çdo drejtim. Gjatë dekadave të fundit, shkencëtarët kanë matur në mënyrë të përsëritur luhatjet e temperaturës në CMB, duke mos gjetur gati asnjë lakim.
Një Univers i sheshtë, është një pjesë kryesore e modelit standard kozmologjik, i njohur gjithashtu si Modeli i Errët i Ftohtë Lambda (ΛCDM). (Λ është gërma greke për lambda, që tregon energjinë e errët.) Por në fundin e vitit 2019, Alesandro Melkiori i Universitetit La Sapienza në Romë dhe kolegët e tij,arritën në përfundimin se matjet e CMB nga vëzhguesi hapësinor “Planck” tregojnë një Univers në formë të mbyllur.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të përmbyste dekadat e gjetjeve astronomike. Por përveç këtyre të dhënave, nuk ka më të voglën arsye për të dyshuar se universi është i rrafshët. Të gjitha matjet e tjera të CMB, si ato nga Teleskopi i Kozmologjisë Atmama (ACT) në Kili dhe Sonda Anisotropi me Mikrovalë Uilkinson, janë në përputhje me hipotezën e Universit në formë të rrafshët.
Edhe të dhënat nga burime të tjera, mbështesin më së fundmi teorinë më tradicionale. Në një studim të botuar më dhjetor të vitit të kaluar, Spergel dhe dhjetëra studiues të tjerë të lidhur me ACT, kombinuan të dhënat e tyre dhe grupe të tjera të dhënash, me të dhënat e marra nga teleskopi Planck.
Ata nuk gjetën asnjë provë të devijimit nga hipoteza e rrafshësisë së Universit, duke theksuar se devijimi që ka treguar Planck, është vetëm një luhatje statistikore. Por nëse Universi është i lakuar, ai duhet të jetë aq i stërmadh saqë 93 miliardë vitet e dritës që mund të shohim nuk janë një pjesë e madhe e mjaftueshme për të zbuluar lakimin e tij.