Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar ditën e mërkurë programin e tij për energjinë elektrike, ndërsa premtoi një Shqipëri pa gjeneratorë.
“Ne do të zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim”, theksoi Basha, duke premtuar njëherësh dhe ulje të çmimit të energjisë.
Gjatë fjalës së tij, Basha u angazhua se me të marrë pushtetin do të ulë faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare si dhe do të liberalizojë tregun në këtë sektor.
“Ne do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70% të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kv/orë në muaj.
Ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë. Në funksion të kësaj, angazhimi ynë kyç është ngritja e bursës së energjisë.
Biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim”, tha Basha.
Gjithashtu kryedemokrati premtoi bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën.