U hodh paraditen sotme shorti i çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë që përcaktoi 4 çifte interesante dhe të bukura për t’u ndjekur. Ndeshjet do të luhen me takime teke dhe përballjet që spikasin më shumë janë ato Laçi-Partizani dhe Teuta-Kukësi. Short i lehtë në letër për kryesuesit e Kategorisë Superiore Vllazninë që do të sfidojë në Shkodër, Korabin e Kategorisë së Parë, ndërkohë që një përballje disi e balancuar konsiderohet edhe ajo mes Dinamos dhe Skënderbeut
Drejtori i përgjithshëm i Partizanit Olsi Rama i pranishëm në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit me rastin e hedhjes së shortit për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, u ndal para mediave për të analizuar kundërshtarin e radhës të të kuqve në Kupë, pikërisht kurbinasit e Shpëtim Duros, duke nënvizuar se objektiv i Partizanit në këtë sezon nuk është vetëm titulli kampion, por edhe Kupa e Shqipërisë.
“Kupa është një kompeticion, që për ta fituar duhet të kalosh kundërshtarët më të vështirë, kështu që në qoftë se Laçi vjen në çerekfinale, gjysmëfinale apo finale nuk ka rëndësi. Janë një ekip për tu kaluar, megjithëse objektivi ynë është të fitojmë ndaj çdokujt. Ndeshje teke janë bërë edhe në Champions vjet. Në këtë situatë që jemi ndeshjet teke janë më mirë që të mos ngarkohen lojtarët shumë sepse kalendari është i ngjeshur. Do shkojmë në Laç për të fituar. Ne luajmë çdo ndeshje për ta fituar. Duam kampionatin dhe Kupën. Nuk është çështje snobizmi. Të gjitha ekipet në këtë kalendar vendosin objektivat e tyre. Dje po më pyesnin kë do në short dhe kërkova derbi.
Më thanë se Tirana është eliminuar dhe i thashë se jo sepse është derbi me Dinamon. E kishim edhe afër, tani duhet të marrim autobusin të shkojmë në Laç, megjithëse afër është. Ndeshja e së shtunës ndaj Laçit është një ndeshje që na duhen pikët dhe ndaj një rivali formë. Janë ekip që na kanë mundur në Laç 3-1 dhe kjo tregon gjithë rëndësinë që ka një ndeshje e tillë për ne. Kanë 5 fitore radhazi dhe janë ekipi më në formë i kampionatit. Luajnë mirë dhe kanë lojtarë cilësorë. Unë shoh Partizanin dhe them se edhe ne jemi ekip në formë dhe duhet vetëm të vazhdojmë në vazhdën e lojërave që kemi bërë”, u shpreh Rama.