Ambasada e SHBA në Tiranë u ka bërë sot një thirrje qytetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve. Në një postim në mediat sociale, ambasada njofton se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kërkon kurrë para për viza.
Sipas selisë diplomatike të gjithë qytetarët duhet të informohen dhe të mos bien pre e faqeve të rreme interneti që u kërkojnë para.
“Ne kontaktohemi vazhdimisht nga individë që kanë rënë viktima të mashtrimit të vizave. Mashtrimet zakonisht përfshijnë faqe interneti të rreme, adresa emaili dhe kërkesa për tarifa shtesë që duhet paguar për të marrë një vizë.
Mos harroni, Departamenti i Shtetit nuk do t’ju kërkojë kurrë të transferoni para tek një individ apo organizatë tjetër për të marrë vizën tuaj. Informoni veten në mënyrë që të mos bëheni viktimë e një mashtrimi!”, shkruan ambasada.