Bota Kongresi amerikan miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilionë dollarësh

Kongresi amerikan miraton paketën stimuluese prej 1,9 trilionë dollarësh

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një paketë masive stimuluese kundër COVID-19 që do t’i japë mbështetje ekonomisë së vendit dhe do të injektojë miliarda dollarë në sistemet shëndetësore globale.

Akti legjislativ me vlerë 1.9 trilionë dollarë do t’i japë formë të re ekonomisë, duke ofruar mbështetjen më të madhe kundër varfërisë në 100 vjet. Republikanët thonë në kritikat e tyre se projektligji merret me shumë më tepër tema sesa pandeminë.

“Nuk po ekzagjeroj nëse them se shumica po e shfrytëzon krizën për të miratuar axhendën e tyre me politika progresiste”, tha ligjvënësi republikan, Tom Cole.

Por, disa analistë thonë se vetë përmasat e paketës së ndihmave do të kenë ndikim të ndjeshëm jo vetëm në ekonominë amerikane, por edhe atë globale.

“Ky projektligj prej 1.9 trilionë dollarësh do të rrisë 1% ekonominë globale. Kjo sipërmarrje është e jashtëzakonshme. Nëse do ta vëmë nën kontroll pandeminë dhe të rihapim ekonominë, do të shohim rritje ekonomike me ritme shumë të larta”, thotë analisti Stephen Morrison.

Propozimi i mbështetur nga Presidenti Biden është paketa e pestë me ndihma kundër pandemisë. Ky projektligj gëzon mbështetje të gjerë mes amerikanëve, sipas anketave të fundit. Por pas shpenzimeve rekord që miratoi Kongresi si rezultat i krizës së koronavirusit, nuk ishte e lehtë të gjendej mbështetje për ndihmat ndërkombëtare.

Sapo Presidenti Biden ta nënshkruajë ligjin këtë javë, shumë familje amerikane me të ardhura të ulëta e të mesme do të marrin 1400 dollarë brenda pak ditësh.