Bota NATO “përkëdhel” Turqinë: Është jashtëzakonisht e rëndësishme

NATO “përkëdhel” Turqinë: Është jashtëzakonisht e rëndësishme

Pas lajmit se SHBA po mendon Turqinë si vendin organizator të bisedimeve të paqes për Afganistanin, një tjetër mesazh vjen nga Perëndimi që duket se nuk ka ndërmend të gabojë me Ankaranë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar gjatë një diskutimi online me përfaqësues të universitetit të Stanford se: “Turqia është ekstremisht e rëndësishme”.

Stoltenberg dha këtë përgjigje ndaj pyetjes nëse Turqia duhet përjashtuar nga NATO për shkak të marrëdhënieve mes presidentit Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin.

“E pranoj se ka sfida, por mendoj se gjëja më e mirë është të adresohen ata si aleatë të NATO-s brenda saj, hapur dhe ku NATO të shërbejë si platformë për gjetjen e rrugëve për reduktimin e tensioneve dhe hedhjen e hapave pozitivë në drejtimin e duhur”, citohet më tej Stoltenberg.

Ky mesazh nënkupton se Turqia do të tolerohet në disa gjëra që deri më dje mund edhe të ishin të pamendueshme, si p.sh blerja e armëve me rëndësi nga Rusia dhe që vendosin sistemet e NATO-s në dizavantazh. Po kështu Turqia është ndoshta ndër të paktët anëtarë të NATO-s që ndjek politikë sigurie të pavarur dhe të pakoordinuar me aleancën jashtë Europës. Përveç Turqisë, vetëm Franca ka provuar të luajë në këtë drejtim me përfshirjen në Mali dhe disa përpjekje në Libi, Liban dhe Siri.

Ndërkohë NATO nuk ka bërë asgjë për të ndërmjetësuar një krizë në zhvillim mes Turqisë dhe Greqisë, duke lënë ndoshta me qëllim konfliktin si zgjidhje. Së fundmi, zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në Turqi, Omer Celik, ka akuzuar Greqinë se po përpiqet të ndërtojë aleanca kundër vendit të tij, menjëherë pasi Athina zyrtare arriti një kompromis me Egjiptin për zonat e kërkimit të gazit dhe naftës në Mesdheun Lindor.

“Kur këto vende të kenë ikur nesër, Greqia do të mbetet vetëm sërish me Turqinë në këtë rajon. Për këtë arsye Greqia duhet të kërkojë për një marrëveshje të negociuar në tavolinë, duke respektuar Turqinë dhe Republikës Turke të Qipros Veriore”, tha ai.